Zharku dhe Selmanaj nënshkruajnë Memorandum mirëkuptimi për financimin e ndërtimit të infrastrukturës rrugore në komunën e Deçanit
Prishtinë, 18 maj 2016
Në vazhdën e aktiviteteve, që kanë për qëllim zhvillimin e rrjetit të infrastrukturës së vendit, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, nënshkruan sot Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me të cilin njëkohësisht përcaktohen edhe obligimet e Ministrisë dhe të Komunës për realizimin e këtyre projekteve.
Projektet që do të realizohen në bazë të këtij memorandumi përfshijnë asfaltimin e rrugës Skender Rexhametaj dhe Alimusaj në fashatin Isniq, si dhe asfaltimin e rrugës Isa dhe Valdet Kuqi, në drejtimin e kanalit të Belegut.
Vlera parallogaritare e këtyre projekteve kap shumën e përgjithshme prej 350 mijë eurosh dhe në tërësi është investim i Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa realizimin e tyre nga fillimi deri në fund të kontratës do ta mbikëqyrë zyrtari monitorues, të cilin do ta caktojë Ministria.
Me këtë rast, ministri Zharku e njoftoi kryetarin Selmanaj edhe për dy projekte të tjera të cilat kapin shumën prej 440 mijë eurosh: projekti i asfaltimit të rrugës që lidh rrugën Strellc i Ulët Isniq, Beqiraj Dautaj, për të cilin është shpallur tenderi, kurse në përgatitje është projekti për asfaltimin e rrugës Dëshmorët e Deçanit që lidhet me Manastirin.