Zëvendësministri Idriz Selimaj, së bashku me përfaqësuesit e AMRKS-së, ua shpërndanë revistën “Si të lëvizim të sigurtë në rrugë”, nxënësve të shkollës “Nazim Gafurri”

 Prishtinë, 27 prill 2018


Sot, zëvendësministri i Infrastrukturës, Idriz Selimaj, me drejtuesit e Asociacionit Kosovar të Motorizimit – AMRKS, përfaqësueses së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – MASHT, si dhe stafin e shkollës fillore “Nazim Gafurri”,  kanë shpërndarë edicionin e gjashtë të revistës shkollore “Si të lëvizim të sigurtë në rrugë”. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të kornizës së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe AMRKS-së për sigurinë në trafikun rrugor dhe ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësve se si të lëvizin të sigurt në rrugë.


Zëvendësministri Selimaj duke iu drejtuar nxënësve dhe ideatorit të këtij projekti kombëtar, profesorit Muhamed Krasniqi nga Kolegji Tempulli si dhe përfaqësuesve të MASHT-it dhe të AMRKS-së, tha: “Kam kënaqësinë që në emër të Ministrit të Infrastrukturës, të ju drejtohem me fjalë përshëndetëse juve nxënës të dashur, arsimtarë, ideatorit të këtij projekti kombëtar, profesorit Muhamed Krasniqi nga Kolegji Tempulli si dhe përfaqësuesve të MASHT dhe të AMRKS.

Të dashur nxënës, sigurisht që ju keni nevojë për marrjen e njohurive të reja në lëmin e sjelljes dhe të edukatës në trafik,  kur dihet mirëfilli se përfshirja e këtyre temave në lëndët ekzistuese në kurrikulën tonë kombëtare sigurisht që nuk është e mjaftueshme. Nisur nga ky fakt ne bashkërisht jemi duke bërë përpjekje që të ju ofrojmë sa më shume njohuri lidhur me shenjat dhe rregullat e trafikut rrugor, krejt kjo me qëllim që të rrisim sigurinë e lëvizjes tuaj kur ju jeni duke ardhur në shkollë nga shtëpia por edhe anasjelltas.   


Me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit por edhe implementimit të aktiviteteve në kuadër të projektit kombëtar “Siguria në rrugë” Ministria e Infrastrukturës ditë më parë ka nënshkruar edhe marrëveshje te bashkëpunimit me Asociacionin Kosovar të Motorizimit – AMRKS. Kjo marrëveshje por edhe bashkëpunimet tjera me MASHT-in, Policinë e Kosovës por edhe institucionet tjera do të mundësojnë edhe zbatimin Strategjisë kombëtare për trafikun rrugor si dhe Planin e Veprimit ‎2015-2020 për një siguri me te madhe ne rrugë për të gjithë qytetarët.    


Ministria e Infrastrukturës po ashtu është e kënaqur me bashkëpunimin profesional me Kolegjin Tempulli dhe Forumin e Kosovës për Siguri në Rrugë dhe përveç që mbetet e përkushtuar për bashkëpunim,  inkurajojmë edhe institucionet tjera të na bashkohen në kësi lloj projektesh të cilat janë të rëndësishme për sigurinë e nxënësve në veçanti dhe të qytetarëve në përgjithësi.


Ju ftojë që bashkërisht me datë 18 Maj 2018 në qendër të qytetit të marrim pjesë në takimet e nxënësve përfaqësues të të gjitha shkollave nga vendi, në garat me biçikleta në kuadër të edicionit të 6-të. Fare në fund ju urojë sukses juve nxënës duke shpresuar se me këto aktivitete bashkërisht po ndikojmë në ngritjen e kulturës dhe sjelljes ne trafik por edhe ne rritjen e sigurisë së lëvizjes në rrugë. Suksese”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Idriz Selimaj.


Më pas zëvendësministri Selimaj, së bashku me Krasniqin, si dhe përfaqësuesit e MASHT-it dhe të AMRKS-së, nxënësve të klasës të parë ju shpërndanë revistat dhe ngjyra për ngjyrosje të vizatimeve, ku ilustrohen situatat më të shpeshta që i hasin nxënësit kur janë rrugë. 

Foto Galeria

Video Galeria