Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi mbajti konferencë për media

Prishtrinë

15 prill 2021

 

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, mbajti sot një konferencë për media, lidhur me anulimin e dy vendimeve të marra dje.

 

Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, zëvendësministri Durmishi tha:

Arsyeja e kësaj konference është për të njoftuar opinionin publik për dy vendime të cilat i kemi marrë si Ministri ditën e djeshme.

E para ka të bëjë më anulimin e procedurës së prokurimit për projektin: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021/2022, 2022/2023 dhe 2023/2024”. Vlera e parashikuar e këtij projekti është 44 milionë euro.

Janë dy arsye pse ne e kemi anuluar këtë procedurë në këtë fazë. E para ka të bëjë me atë se ky projekt parashihet që të jetë kontratë kornizë tri vjeçare dhe nuk mund t’a ndryshojmë më pasi të lidhen kontratat. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime edhe në pozicione të paramasës e po ashtu edhe në kriteret teknike. Në vitet e fundit kemi një zhvillim të hovshëm të teknologjisë së ndërtimit të rrugëve prandaj ky zhvillim duhet të jetë present edhe në rrugët tona. Kjo është arsyeja e parë që ne do të intervenojmë në pozicionet e paramasës në mënyrë që edhe mirëmbajtja të jetë shumë më cilësore në vitet në vazhdim ashtu siç do të jetë shumë më cilësor secili investim në të ardhmen. Pra ne jemi të interesuar që rrugët tona të jenë më të sigurta duke përdorur teknologjinë më të avansuar për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

 

Arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet ti ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurencë më të madhe në mes kompanive. Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshoj përfundimisht!

 

E dyta ka të bëjë me shfuqizimin e vendimit nr 5430 të datës 21 maj 2019 dhe vendimin nr 3992 të datës 1 qershor 2020 për themelimin e ekipit të kualifikuar për reralizimin e aktiviteteve përgatitore, implementimin dhe menaxhimin e projektit për dhënie me Partneritet Publiko-Privat të “ Shërbimit të testimit të kandidatëve për shofer, ndërtimin, funksionalizimin dhe operimin me objektet e Qendrave për Patent – Shofer”.

Pra e kemi shfuqizuar vendimin që parashihte privatizimin e shërbimit të patent-shoferëve dhe objektet e qendrave për patent- shofer.

Nëse nuk e kemi gjendjen e mirë në sektorin e patentë-shoferëve duhet që ta sanojmë gjendjen dhe ta përmirësojmë atë sektor. Ne i kemi bërë veprimet e para menjëherë duke i dhënë prioritet dhe tani jemi në fazen e finalizimit të E-testimit për kandidatët për patent shofer. Brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore do ta funksionalizojmë E-testimin pasi që softwerin e kemi dhe kompjuterët dhe paisjet e tjera të nevojshme do t’i kemi ditëve në vijim. E – testimi e rregullon dukshëm mbarëvajtjen e procesit të testimit sepse eliminohet faktori “njeri” në këtë proces e rrjedhimisht eliminohen keqpërdorimet eventuale. Gjithashtu po punojmë që edhe qendrat regjionale të modernizohen me paisje sa më parë që është e mundur.

Këto dy vendime të cilat i kemi marrë përpos ndërprerjës së keqpërdorimeve dhe praktikave korruptive kanë për qëllim edhe rritjen e sigurisë së qytetarëve në rrugë dhe komunikacion. Pra në njërën anë po synojmë përmirësimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve dhe në anën tjetër paisja me patent shofer të bëhet në baza mirtore e jo korruptive.

 

Ne tani jemi në fazën e analizimit të shumë vendimeve që janë marrë në Ministri muajve të fundit dhe shumë prej tyre do të anulohen ditëve në vijim, pra ato vendime që nuk janë në përputhje me ligjin apo vendimet që nuk kanë asnjë mbulesë financiare e që ka shumë të tilla. Ka vendime që janë nënshkruar edhe ditën e fundit, pra ditën kur është votuar qeveria e re, vetëm se në vendim nuk shkruan ora dhe nuk dihet a është nënshkruar vendimi para apo pas votimit të qeverisë së re, tha zëvendësministri Durmishi. 

 

Shkarkoni vendimin e anuluar

 

Foto Galeria

Video Galeria