Zëvendësministri Grabovci inauguroi fillimin e punimeve për asfaltimin e rreth rrethrrotullimit dhe urës në Viti
Zëvendësministri i Transportit dhe postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci dhe kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, sot inauguruan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës 'Idriz Seferi' si dhe urës e cila gjendet në këtë rrugë.
Me këtë rast zv.ministri Grabovci pohoi:' Sot po fillojnë punimet për rrethrrotullimin e parë të Vitisë i cili do të krijojë qarkullim të automjeteve më të sigurtë si dhe do të shkarkojë qendrën e Vitisë nga tollovitë e komunikacionit'.
Grabovci, gjithashtu theksoi:' Me rastin e fillimit të këtyre punimeve ndihem shumë i nderuar sepse edhe unë jam pjesëmarrës i këtyre ndryshimeve,të cilat po ndodhin në një qytet të vendit tonë'.
' Realizimi i projekteve në këtë komunë po vjen si rezultat i angazhimeve të organeve komunale të kësaj komune.Ju premtoj se edhe në të ardhmen realizojmë projekte për të cilat udhëheqësia e kësaj komune dëshmon se është e gatshme të na i dërgojë' theksoi zëvendësministri Grabovci.
Ndërsa Nexhmedin Arifi, kryetar i Kuvendit Komunal të Vitisë, lidhur me rëndësinë e realizimit të këtij projekti mjaft të rëndësishëm për Vitinë tha:' Jemi këtu në periferi të qytetit ku do të ndërtohet një unazë, e standardeve evropiane e cila do të lidhet me dy urat në vijim dhe do të mundësojë shkarkimin e qarkullimit të automjeteve të rënda'.
'Investimi për këtë projekt është tërësisht nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Andaj, për këtë e falenderoj kryeministrin e shetit tonë, Hashim Thaçin, ministrin e MTPT-së Fatmir Limaj, sepse ne si komunë gjithëmonë i kemi pasur dyert e hapura te qeveria' shtoi Arifi.
Rruga e sapofilluar do të jetë e kompletuar me trotuar, ndriçim dhe elementet tjera përcjellëse, sipas sipas standardeve evropiane. Vlera e këtij projekti të cilin kryesisht do ta financojë MTPT-ja është 200 mijë euro, ndërsa në këtë projekt përfshihet asfaltimi i rrugës dhe ndërtimi i urës që gjendet në këtë rrugë.