Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu kanë pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi
Zëvendëskryeministri z. Besnik Bislimi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu kanë pritur sot në takim ministrin e Turizmit të Shqipërisë, z. Blendi Klosi.
Si çështje kryesore në takim u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani si dhe për çështje që kanë të bëjnë me promovimin e turizmit dhe mjedisit të pastër.
Në konferencën e mbajtur për media, lidhur me rëndësinë e këtij takimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Besnik Bislimi, shprehu bindjen se është e rëndësishme nevoja e një strategjie të përbashkët në përgatitjen e kapaciteteve humane në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të rrisin atraktivitetin e tyre turistik në raport me vendet e tjera të regjionit.
Më tutje, ministri i MMPHI-së, z. Liburn Aliu, tha se përveç promovimit të turizmit, është e rëndësishme që të arrihet një zhvillim i integruar dhe i qëndrueshëm mjedisor, me veprime konkrete.
“Do të organizohemi në grupe të përbashkëta rreth çështjeve kombëtare. Do të krijojmë grupe punuese dhe do të realizojmë synimet e memorandumeve të nënshkruara ku gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë aktivistë të ndryshëm në aktivitetin për pastrimin e liqenit të Vërmicës.”.
Ministri i Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi tha:
“Për dy qeveritë është vendimmarrje e përbashkët sepse turizmi është industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona. Prandaj do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ofertat e përbashkëta të bëhen realitet.”.