Vitia e Obiliqi përfitojnë financim projektesh nga MIT

Prishtinë, 13 mars 2019

 

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, të mërkurën pas takimeve të ndara me kryetarët e komunave të Vitisë dhe Obiliqit, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për financim të projekteve lokale me këto komuna.

 

Nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, komuna e Vitisë për vitin 2019 ka përfituar shumën prej 116.500 euro, për fillimin e realizimit të dy projekteve lokale. Kreut të kësaj komune, Sokol Haliti, nga ministri Lekaj iu kumtua edhe lajmi se puna për kyçjen e Gërlicës në autostradën “Arbën Xhaferi” do të fillojë në qershor.

 

Ndërsa komunës së Obiliqit, MIT i ka ndarë mjetet financiare në vlerë prej 100.000 euro për asfaltimin e rrugës “Haxhi Ali Qerkezi”, për të cilën komuna do të paguaj edhe 95,000 euro. Ministri Lekaj e njoftoi kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, se për këtë vit në këtë komunë nga MIT do të fillojë edhe renovimi i tri rrugëve regjionale, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini” dhe “Llapi”.

 

Ministri Pal Lekaj, u premtoi krerëve komunal të Vitisë e Obiliqit, përkrahje të vazhdueshme dhe i njoftoi ata se për këto projekte janë bërë planifikimet buxhetore deri në përfundimin e plotë të tyre edhe për vitet që pasojnë.

 

Të parët e komunave nënshkruese duke shprehur falënderim të veçantë për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të ministrit dhe dikasterit që ai drejton, u zotuan se projektet e mbështetura nga MIT do të realizohen sipas afateve të parapara dhe me cilësi ashtu çfarë kërkohet me specifikat e projekteve të kësaj natyre. 

Foto Galeria

Video Galeria