U mbajt takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Investime
Prishtinë, 30 korrik 2015
Sot në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Ivestime, i themeluar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës më 8 korrik 2015, i cili do të shërbejë si platformë permes të së cilës do të diskutohen planet e financimit për secilin hap të ndërlidhur me projektet infrastrukturore nga lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore, ndërsa qëllim i tij është që të sigurojë sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit, siç janë buxheti, huatë dhe grantet.
Takimi i sotëm kishte në fokus disa çështje, siç janë: miratimi i rregullave të procedurës, financimi i rehabilitimit të linjës hekurudhore 10 (faza e parë), miratimi i metodologjisë për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve të infrastrukturës, lista preliminare e projekteve prioritare sektoriale dhe raundi i 14-të i WBIF.
Lidhur me listën preliminare të projekteve prioritare sektoriale mbajti një fjalë ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili midis tjerash theksoi se sektori i rrugëve aktualisht paraqet 90% të buxhetit të MI, që është një indikator i rëndësinshëm që jepet për zhvillimin dhe përmirësimin e rrjetit rrugor. Ai tha se objektivat kyqe në këtë fushë mund të formulohen si vijon: Integrimi i Kosovës brenda rrjetit rajonal rrugor (zhvillimin e rrugëve 6 & 7 përgjatë korridoreve panevropiane), zvogëlimi i shpenzimeve të transportit, mirëmbajtja dhe përmirësimi i rrugeve ekzistuese, që do të garantojë nivel të shërbimeve të transporti privat dhe publik në rrjetin rrugor, si dhe të ruajtja e aseteve ekzistuese, përmirësimi i nivelit të sigurisë rrugore me përmirësimin e kualitetit të sinjalizimit horizontal dhe vertikal, kualitetit të rrjetit të infrastrukturës rrugore, reduktimin e pikave të zeza dhe zhvillimin e kampanjave për sigurinë rrugore etj.
Në vazhdim të fjalës, ministri Zharku prezantoi prioritetet e Qeverisë në fushën e infrastrukturës dhe transportit, në kuadër të të cilave përmendi projektet e rëndësishme, siç janë: Zhvillimi i drejtimit rrugor 6 Prishtinë Hani i Elezit (i cili pritet të perfundojë deri në janar 2018) dhe pjesa e mbetur e drejtimit rrugor 7 Prishtinë Merdare; vazhdimi i projektit të zgjerimit të rrugës nacionale N9 Prishtinë Pejë; projekti i autostradës Prishtinë Gjilan Dheu i Bardhë; zgjerimi i rrugës nacionale N25 nga rrethrrotullimi Besi-Podujevë dhe vazhdimi i projektit të zgjerimit të rrugës nacionale N2, Prishtinë Mitrovicë.