U mbajt takimi i dytë i Këshillit për Siguri në Komunikacion Rrugor

Sot në Ministrinë e Infrastrukturës u mbajt takimi i dytë i Këshillit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në të cilin morën pjesë kryesuesi i Këshillit, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Leonora Krasniqi-Gashi, Hysni Kilaj, zëvendësministër i Financave, Lirak Qelaj, zëvendësministër i Drejtësisë, Naim Ismajli, kryesues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Gashi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Petrit Kelmendi, këshilltar i ministrit të Arsimit, si dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës: Adem Krasniqi, Valmire Maloku, Fidan Rekaliu,Xhemë Veseli dhe Skender Gashi.

 

Temat qendrore të këtij takimi, të cilin e drejtoi ministri Lutfi Zharku, ishin: gjendja e sigurisë rrugore, në kuadër të së cilës ministri Zharku paraqiti raportin e aksedenteve të komunikacionit në periudhën janar-qershor 2015, masat për ngritjen e shkallës së gurisë në trafik, strategjia e sigurisë rrugore etj.

 

Ministri Zharku në takim paraqiti raportin e numrit të aksidenteve në komunikacionin rrugor për periudhën janar-qershor 2015, nga e cila shihet se numri  i përgjithshëm i aksidenteve në komunikacionin rrugor në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për  1.0 %, numri i aksidenteve me lëndime është zvogluar për 2.6%, kurse numri i aksidenteve vetëm me dëme materiale është rritur për 1.3%. Ndërkohë, numri i aksidenteve fatale në periudhën janar-qershor 2015 është më i vogël se në periudhën e njëjtë të vitit 2014 për  19.6 %, numri i personave të vdekur gjithashtu është zvogluar për 24.6 %, kurse numri i personave të lënduar po ashtu është zvogëluar për 2.1%. Është inkurajues fakti se numri i këmbësorëve të vdekur ka shënuar rënie prej 10.0%, ndërsa numri i këmbësorëve të lënduar është për 5.5% më i vogël se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në fund të raportit, ministri Zharku përmendi faktorët që kanë ndikuar në aksidentet në komunikacionin rrugor. Gjatë diskutimeve për raportin, në të cilin morën pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit, u fol edhe për aktivitetet që janë ndërmarrë dhe që duhet të ndërmerren me qëllim të ngritjes së shkallës së sigurisë në komunikacionin rrugor në vendin tonë.

 

Gjatë rrjedhës së takimit të sotëm, u diskutua edhe për Strategjinë e sigurisë rrugore, për çështjen e mirëmbjatjes së rrugëve në sezonin veror dhe dimërore, si faktor i rëndësishëm i sigurisë në trafik dhe për çështje të tjera.

 

 

 

Foto Galeria

Video Galeria