U mbajt takimi i dytë i këshillit kombëtar për investime

Prishtinë, 9 dhjetor 2015

Të mërkurën në Prishtinë u mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar për Investime, të cilin e bashkëkryesuan Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Evropian dhe Avdullah Hoti, ministër i Financave. Në takim u miratua Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore, e përbërë nga 39 projekte: 11 të fushës së transportit, 13 të energjisë dhe 15 të fushës së mjedisit, që ka një vlerë prej 2.4 miliardë eurosh.

Në takim ministri i Infrastrukturës, z. Lutfi Zharku, në kuadër të paraqitjes së planeve të ardhshme të Ministrisë së Infrastrukturës, prezantoi 11 projekte – 6 nga fusha e hekurudhave dhe 5 nga fusha e infrastrukturës rrugore, të cilat duhet të realizohen gjatë periudhës së ardhshme, si dhe rekomandoi dy projekte të reja – rikonstruksionin e rrugës Prishtinë-Podujevë dhe modernizimin e shërbimit të navigimit ajror.

Ky takim është rrjedhojë e takimit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur vitin e kaluar në Berlin, nën udhëheqjen e kancelares gjermane Angela Merkel, i cili kishte për qëllim dakordimin e prioriteteve rajonale për investime infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, ndërsa projekt i parë që do të zbatohet nga agjenda e Berlinit është projekti për Rehabilitimin e Linjës 10 hekurudhore, realizimi i të cilit pritet të fillojë në muajin dhjetor të vitit 2016. Lidhur me këtë, ditë më parë Kosova ka përfituar grantin e parë në vlerë prej 40 milionë eurosh nga BE-ja për fazën e parë të projektit, kurse është nënshkruar edhe kredia prej 39.9 milionë eurosh me EBRD dhe prej 42 milionë eurosh me EIB. 

Kosova do të aplikojë edhe për grantin e dytë nga BE-ja në vlerë prej 40 milionë eurosh.

Foto Galeria

Video Galeria