U mbajt mbledhja e përbashkët në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

 Sot, në mbledhjen e tetë (8) të dy Qeverive tona Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, bashkë me homologen time znj. Belinda Balluku, nënshkruam dy (2) marrëveshje të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës. 


Marrëveshja e parë është bashkëfinancimi për studimin e fizibilitetit dhe projektit për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, me qëllim të përcaktimit të procedurave dhe ndarjes së kostove ndërmjet palëve për financimin e Studimit të Fizibilitetit dhe Projektit për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë. 


  • Kosto totale për realizimin e Studimit te Fizibilitetit dhe hartimit të Projektit për ndërtimin e lidhjes hekurudhore parashikohet të jetë rreth 1,980,000 (një milionë e nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro.
  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të angazhojë një fond prej 1,000,000 (një milion) Euro, ose rreth 51% të kostos totale për realizimin e Projektit.
  • Ky fond është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë. 
  • Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të angazhojë një fond prej 980,000 (nëntëqind e tetëdhjetë mijë) Euro, ose 49% të kostos totale për realizimin e këtij Projekti.
  • Ky fond është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe me autorizim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.


Marrëveshja e dytë është bashkëpunimi për vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë. Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës, reduktimit të pabarazisë dhe varfërisë, lëvizjën e lirë të punëtorëve, shërbimeve e mallrave sipas normave dhe standardeve të BE-së, kemi rënë dakord që në mes të kësaj marrëveshje bashkëpunimi të bëjmë përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fshatrave që lidhin zonat kufitare të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.


Nëpërmjet kësaj marrëveshje të bashkëpunimit do të arrijmë:


  • Sigurimin e lidhjeve për transport të shpejtë dhe pa probleme të mallrave.
  • Përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
  • Lehtësimin në kalimet kufitare. 
  • Arritjen e lëvizshmërisë së qëndrueshme me efikasitet.
  • Cilësi të lartë të shërbimit të transportit në periudha afatgjatë.

Foto Galeria

Video Galeria