U hap edhe galeria veriore e tunelit të Kalimashit

Sot ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj, së bashku me homologun e tij, ministrin e Transportit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi dhe me ish-ministrin e Transportit dhe ministrin aktual të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Lulzim Basha, morën pjesë në hapjen e galerisë veriore të tunelit të Kalimashit.

Ministrat Limaj, Olldashi dhe Basha, në prononcimin për medie, hapjen e galerisë veriore
të tunelit të Kalimashit e cilësuan si një projekt shumë të rëndësishëm ekonomik, i cili
përveç kësaj bën që Shqipëria dhe Kosova jenë më afër se kurrë.

“ Jam i lumtur që kjo rrugë përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme në të gjitha
afatet e duhura, me cilësinë e duhur dhe do të garantojmë që me hapjen edhe të galerisë
së dytë, do të ketë trafik të vazhdueshëm të pa pengesa midis Shqipërisë dhe Kosovës,
Shqipërisë dhe verilindjes së saj” , deklaroi midis tjerash ministri Olldashi në fjalën e tij
përuruese.

Ndërkaq, ministri Fatmir Limaj, në fjalën e tij të rastit, tha:

“ Më lejoni që të shpreh respektin dhe mirënjohjet e mia të veçanta për Qeverin e
Republikës Shqiptare, për dy akterët që janë sot këtu – ish-ministrin e Transportit,
z. Lulzim Basha, ministrin aktual, z. Sokol Olldashi, por edhe vetë kryeministrin e
Republikës së Shqipërisë, Sali Berishën, për këtë projekt gjigand, i cili dikur ka qenë i
paimagjinueshëm, por që sot u bë realitet. Jua uroj përfundimin e këtij projekti madhor në
pjesën shqiptare” .

“ Realizimi i këtij projekti vjen si rezultat i seriozitetit, angazhimit dhe këmbëngulësisë së
qeverisë shqiptare, për ta përfunduar këtë rrugë, që njëherësh realizimin e kësaj rruge e
ka ngritur në top agjendë edhe të Republikës së Kosovës” , tha në vazhdim ministri Limaj
dhe shtoi:

“ Ky është një transformim i gjithanshëm social dhe politik-ekonomik, që po u bëhet
vendeve tona, por edhe rajonit dhe unë mendoj se të gjithë shqiptarët duhet të ndihen
krenarë që fuqia e shtetit të tyre ka ardhur në nivel të tillë për të ndërtuar vepra gjigante
dhe kaq të mrekullushme” .

Lulzim Basha, ish-ministër i Ministrisë së Transportit dhe ministër aktual i Punëve të
Brendshëme, me rastin e hapjes së galerisë veriore të tunelit, midis tjerash tha:

“ Sot po realizohet edhe një ëndërr shumë e madhe, e cila nuk mund të përthekohet me një
ose dy fjali, Ne së shpejti do të fillojmë tunelin e Elbasanit, i cili përshkon rrugën Tiranë-
Elbasan dhe projekte të tjera. Ky projekt është më shumë se sa kjo rrugë, është projekt
ekonomik dhe komercial, është projekt i shpirtit shqiptar, i fuqisë dhe besimit të kombit
shqiptar te vetvetja.” Është shprehur Basha

Më pas, ministrat Fatmir Limaj, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, vizituan
edhe punimet në autostradën Vërmicë-Merdar në segmentin e parë Vërmicë-Prizren.

 

Foto Galeria

Video Galeria