Të gjitha rrugët në Republikën e Kosovës janë të hapura për qarkullim
Ministria e Infrastrukturës, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se në mbarë vendin, kompanitë e kontraktuara po kujdesen që rrugët të jenë lehtësisht të kalueshme për automjetet.
Me qëllim të sigurisë në komunikacion, në disa zona, sidomos ato malore, është intervenuar me hedhje kripe, për të evituar krijimin e shtresave të akullta nga rënia e temperaturave dhe mjegulla.
Sipas raporteve nga menaxherët mbikqyrës të MI-së, nga kompanitë, në mëngjes dhe mbrëmje, është intervenuar në rrugët rajonale, Mitrovicë – Bajgore (R129), Deçan – Koznjer (R108), atë nacionale N9 në zonën e Dollcit, dhe akset rrugore Pejë – Kullë e Doganaj - Glloboqicë.
Kripë është herdhur edhe në zonat turistike malore si Bogë e Prevallë.
Kompanitë e kontraktuara, me tërë makinerinë, bashkë me inxhinierët e MI-së, janë në mbikëqyrje të vazhdueshme të të gjitha rrugëve nacionale, rajonale, magjistrale dhe autostradave, gjatë 24 orëve.
MI, bën thirrje për kujdes të shtuar në vozitje me qëllim të evitimit të rreziqeve në komunikacion.