Takohen komisionet e dy vendeve për ndërtimin e tunelit Pejë-Rozhajë

Prishtinë, 06 korrik 2018


Gjatë vizitës së para disa muajve të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq bërë Kosovës dhe në takimin me kryeministrin Ramush Haradinaj, u patën dakorduan për shtyrjen përpara të  idesë për ndërtimin e tunelit ndërmjet dy vendeve. Më pas në takimin e përbashkët ndërmjet dy ministrave Pal Lekaj dhe Osman Nurkovic në Prishtinë, me inicimin e ministrit Pal Lekaj në samitin e Sofjes, u dakorduan për formimin e dy komisioneve profesionale për realizimin e projektit të ndërtimit të tunelit në kodrën e “Rusolisë”që do të lidhë komunën e Rozhajes me atë të Pejës.


Në këtë vazhdë janë zhvilluar takime për dy ditë në komunën e Rozhajës dhe atë të Pejës, ku komisioni ynë i udhëhequr nga zëvendësministri Rexhep Kadriu, është pritur nga kryetari Ejup Nurkoviq dhe nga drejtori i Rrugëve në ministrinë e Malit të Zi, Mirsad Ibrahimovic.


Me ndërtimin e këtij tuneli do të lidhen dy qytete dhe dy autostrada, ajo Prishtinë-Pejë dhe  ajo  Bar-Beograd. Gjatësia e këtij tuneli do të jetë 7.3 km, me gjerësi prej 9 metrash, me dy korsi si dhe është paraparë të ndërrohet traseja e rrugës ekzistuese në drejtim të Pejës, për arsye të pjerrtësisë së madhe të rrugës, kurse traseja e re do të ketë pjerrtësinë prej 5.6% dhe do të eliminohen kthesat e shumta në ketë aks rrugor.


Tuneli që do të realizohet mes dy vendeve do të shkurtojë gjatësinë e rrugës Pejë-Rozhajë nga 47 kilometra sa është aktualisht, në 23.5 kilometra, ku  koha e mbërritjes nga Peja në Rozhajë do të realizohet për diku rreth 20 minuta. Ndërtimi i këtij tuneli jo vetëm që do të shkurtojë distancën mes dy vendeve tona, por do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik, në turizmin malor si dhe në transportin më të lehtë dhe më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve.


Projekti ka rëndësi historike për dy vendet tona, duke patur parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe lidhjen e komunës së Pejës me atë të Rozhajës.


Ndërkaq, sot është mbajtur edhe  një takim në komunën e Pejës me organet lokale dhe u është prezantuar ideja e tunelit ndërmjet dy vendeve si dhe mundësitë për realizim të këtij projekti të rëndësishëm. Në takimet e përbashkëta mes dy komisioneve ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi.

Foto Galeria

Video Galeria