Sot u mbajt Samiti Hekurudhor i organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), si dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)
Në kuadër të Agjendës së Gjelbër dhe procesit të modernizimit të hekurudhave në vendet e Ballkanit Perëndimor, sot u mbajt Samiti Hekurudhor i organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, Banka Evropiane e Investimeve (EIB), si dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ndërtimi i një rrjeti hekurudhor modern, të digjitalizuar e me lidhje të drejtpërdrejta midis qyteteve të mëdha në rajon, do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve më të sigurta dhe më të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor. Kjo u njoh si përparësia kryesore e përkushtimit ndaj hekurudhave që u nënshkrua sot nga ministrat përgjegjës të transportit në rajon, në Samitin Hekurudhor të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Beograd.
Ministri Aliu shprehu se është e domosdoshme që të krijohen linjat e reja hekurudhore dhe të rishikohen mundësitë e reja të korridoreve të transportit. Nëse Durrësi, si një prej porteve më të vjetra, do të jetë pikë strategjike e port i rëndësishëm i rajonit, është e domosdoshme që ky port të lidhet me korridorin e 10-të përmes linjës së 7-të, që kalon përmes Prishtinës.
Përveç investimeve që po bëhen në veri-jug, kemi në plan zhvillimin e linjave perëndim-lindje, që nënkupton kyçje me Malin e Zi dhe Republikën e Shqipërisë, por po ashtu edhe me Shkupin, e veçanërisht këtë linjë që dikur është shfrytëzuar për të deportuar njerëz, tani do të shërbente për kalimin e lirë të mallrave dhe njerëzve pa dallim, tha Ministri Aliu në Beograd.
Për më shumë ai shprehu bindjen e tij që rivendosja e linjave direkte që lidhin rajonin dhe BE-në dhe rritja e digjitalizimit të sistemeve hekurudhore për të ndërlidhur e shkëmbyer të dhëna për transportin ndërkufitar të udhëtarëve dhe mallrave që rrisin sigurinë, janë hapa të rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor.