Sot në Prishtinë u nënshkrua Marrëveshja mbi transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave midis Kosovës dhe Shqipërisë
Sot në Prishtinë, pas takimit të delegacioneve të Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve të Republikës së Shqipërisë, të udhëhequra nga ministrat Fehmi Mujota dhe Sokol Olldashi dhe pas bisedën kokë më kokë të të dy ministrave, gjatë së cilës u bisedua për çështjet e interesit të përbashkët në lëmin e transportit dhe të infrastrukturës, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe ai i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, e cila do të ndikojë në avancimin e bashkëpunimit sipas standardeve më të larta në këtë fushë midis dy vendeve.
Pas nënshkrimit të dy ministrat u prononcuan për mediet që përcollën nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me këtë dokument tejet të rëndësishëm për marrëdhëniet e dy vendeve në lëmin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave.
- Do të shpreh konsideratën e lartë për përkrahjen e madhe që kemi marrë vazhdimisht nga Republika e Shqipërisë dhe nga ministria që e drejton ministri Olldashi për krijimin e parakushteve për projekte të mëdha me interes nacional. Pata kënaqësinë ta informoj ministrin Olldashi për përparimet që kanë ndodhur në ndërtimin e Rrugës së Kombit në segmentin 38-kilometërsh dhe presim që në fund të vitit qytetarët e Republikës së Kosovës, bazuar në intensitetin e lartë të punimeve dhe punës së madhe që po bëhet, ta kenë në shërbim këtë segment të rrugës. Pata mundësinë që ministrin ta informojë edhe për projektet e tjera që po zhvillohen paralelisht, siç është ndërtimi i rrugës Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë, por edhe për planet tona dhe vizionin e mëtejshëm për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup që do të lidhë dy korridoret e rëndësishme të transportit rrugor - korridoret 10 dhe 8, për të hapur edhe më tepër perspektivën e lidhjes së kulturave dhe popujve dhe natyrisht, qarkullimin e lirë të njerëzve e mallrave, si dhe zhvillimin ekonomik, - tha ministri Mujota në fjalën e tij dhe shtoi:
- Sot është një akt i veçantë dhe solemn për të dy vendet tona dhe popullin tonë që kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila hap edhe më shumë mundësinë që qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Shqipërisë të kenë qasje shumë të lehtë në të gjitha aspektet zhvillimore dhe në të gjitha lidhjet që po ndodhin për ditë e më tepër. Është një prej marrëveshjeve më liberale që kemi me të gjitha vendet. Qytetarët e dy vendeve tona do të kenë lidhje përherë e më të fuqishme edhe kulturore, edhe ekonomike dhe lidhje tjera nacionale, që janë kontribut i veçantë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe prosperitetin në drejtim të integrimeve euro-atlantike. Pra, sot kemi bërë edhe një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të shumë të tjerëve që janë ndërmarrë deri tash dhe presim që hapa të tillë të vazhdojnë edhe më tutje, në mënyrë që të gjitha pengesat që kanë ekzistuar, gradualisht të kalojnë në një zhvillim cilësor, që nënkupton lidhje më të fuqishme midis nesh, në rajon dhe më gjerë, - tha në fund të fjalës së tij ministri Fehmi Mujota.
- Ju falënderoj për praninë tuaj në ceremoninë e firmosjes të kësaj marrëveshjeje, sikurse tha ministri Mujota, me shumë rendësi për zhvillimin e transportit tokësor mes Shqipërisë dhe Kosovës, se është një marrëveshje që siguron kushte mjaft të favorshme për operatorët e transportit të dy vendeve tona, u lehtëson shumë procedurat e njohjes së ndërsjellë të të gjitha lejeve e licencave, u thjeshtëson procedurat burokratike, mundëson operacionin e kapitalit brenda territoreve të ndërsjella, pra me pak fjalë, është një marrëveshje shumë e mirë që lehtëson tërësisht kuadrin e operimit për transportuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë në territoret e të dy vendeve, - tha ministri Olldashi në fillim të fjalës së tij dhe shtoi:
- Nga ana tjetër, kjo është një marrëveshje shumë dinamike, sepse në të parashikohet ngritja e një komisioni teknik, të përbërë nga ekspertë të dy ministrive, i cili do të ketë tagrin që marrëveshja jep për të zgjeruar gamën e proceseve që mund të hyjnë në një liberalizim të parashikuar nga marrëveshja. Kjo është marrëveshja e dytë pas asaj që e kemi nënshkruar më parë për transportin ajror. Do doja të falënderoja ministrin Mujota, stafin e Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës për bashkëpunimin shumë intensiv që kemi në të gjitha nivelet duke filluar nga nivelet e ekspertëve e deri te niveli politik i ministrave, kemi gjithë mekanizmat për të ndërvepruar njëri me tjetrin dhe për të arritur zgjidhjen e problemeve, - tha midis tjerash në fjalën e tij ministri Sokol Olldashi.
Delegacioni nga Shqipëria e përfundoi qëndrimin në Kosovë me vizitën në tri segmentet e para të trasenë e autostradës Vërmicë-Merdar, me ç’rast nga drejtuesit e punëve u informuan për rrjedhën e punimeve në autostradë.