Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, raportoi para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për zhvillimet dhe realizimin e prioriteteve nga Ministria e Infrastrukturës

Prishtinë, 27 tetor 2015


Para Komisionit, të kryesuar nga kryetari Muhamet Mustafa, ministri Zharku prezantoi punën e deritashme në disa fusha, që janë kompetencë e ministrisë të cilën ai e drejton, siç janë infrastruktura rrugore, transporti rrugor, transporti hekurudhor, transporti ajror etj.


Sa i përket infrastrukturës rrugore, ministri Zharku tha se MI ka vazhduar me realizimin e projekteve në rekonstruktimin e infrastrukturës ekzistuese, ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe bashkëfinancimin me kuvendet komunale. Shumica e projekteve që jane duke u realizuar gjatë këtij viti kanë qenë të kontraktuara vitin e kaluar, e disa nga to do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, qoftë për shkak të kufizimeve buxhetore dhe kontraktuale, qoftë për shkak të mosefikasitetit të operatorëve ekonomikë. Në total këto investime kapin shumën prej 115 milionë euro, apo, sqaroi Zharku, shprehur në mënyre fizike flasim për 172 km rrugë që në forma të ndryshme janë trajtuar nga ana e Ministrisë. Gjatë ketij viti janë realizuar punë në shumë prej 33 milionë euro. Në këto shifra, tha ai, nuk është përfshirë projekti madhor, autostrada Prishtine – Hani i Elezit. 


Në vazhdim, ministri Lutfi Zharku përmendi disa nga projektet, duke i numëruar me atë rast edhe disa projekte rrugësh rajonale, projektet që realizohen në bashkëfinancim me komunat, si dhe pakon e projekteve të vogla, që pritet të fillojnë të realizohen gjatë vitit të ardhshëm në saje të financimit nga ana e BERZh-it.


Ministri Lutfi Zharku foli edhe për zhvillimet në fushën e transportit hekurudhor, me ç’rast e njftoi Komisionin se në sektorin e hekurudhave, në fillim të tetorit është nënshkruar marrëveshja me BERZh-in në shumë prej 40 milionë euro, kurse në fillim të dhjetorit pritet nënshkrimi i marrëveshjes me BIE edhe për 41 milion të tjerë për financimin e rikonstruktimit të hekurudhes Hani i Elezit – Leshak. “Krahas kësaj do të perfitojmë edhe 80 milionë euro grante nga KE për financimin e këtij projekti, - tha ministri Zharku. Aktualisht, bashke me Infrakos-in dhe MF, jemi në fazën e kompletimit të njësisë për implementimin e projektit.


Gjatë raportimit, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku paraqiti të dhëna konkrete edhe për transportin ajror, për punën e qendrave të kontrollit teknik dhe për aftësimin e shoferëve të rinj, për departamentin e inspekcionit etj., por foli edhe për reazultatet e arritura në kompletimin e infrastrukturës ligjore në lëmin e transportit dhe komunikacionit.

Pas prezantimit, ministri Zharku iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Komisionit, të cilët e përgëzuan atë për sukseset e deritashme dhe e inkurajuan për punë të mëtejme, duke e siguruar po ashtu për përkrahjen e pa rezervë të komisionit.

 

Foto Galeria

Video Galeria