Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, vizitoi rrethrrotullimin në rrugën për Fushë-Kosovë
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë vizitoi rrethrrotullimin në ndërtim në rrugën për në Fushë-Kosovë, me ç’rast u informua për rrjedhën e punimeve që janë në vlug.
- Sot jam në vizitë pune te rrethrrotullimi më i madh në Kosovë, që do të thotë se po e përcjell nga afër dinamikën e punës që po zhvillohet në të. Shpreh kënaqësinë që para dhjetë ditësh qytetarëve të vendit ua krijuam një lehtësim – lëshuarjen në qarkullim të drejtimit nga Fushë-Kosova, që u bë me iniciativën tonë dhe me punën e susksesshme të kompanisë. Sot do të fillojë shqyrtimi i urës dhe presim që brenda dhjetë ditësh ta lëshojmë në qarkullim edhe një pjesë të saj në drejtimin Shkup-Mitrovicë, në mënyrë që qarkullimi të lehtësohet edhe më shumë.
E rëndësishme është që gradualisht po hyjmë në fazën përmbyllëse të këtij projketi madhor të infrastrukturës rrugore, jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Dhe, sigurisht që ne kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve, ngase brenda afatit dinamik të paraparë mund të kenë ende ndonjë pengesë të vogël në qarkullim, por jemi të bindur se kolona në rrugë nuk do të ketë. Prandaj shpreh kënaqësinë që punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe që në afatin e paraparë dinamik do të kemi edhe përmbylljen e këtij projekti të rendësishëm për infrastrukturën rrugore në Kosovë, - tha në prononcimin e tij ministri Mujota.
Pas këtij prononcimi ministri Fehmi Mujota u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, me ç’rast i informoi ata edhe për përfundimin e punimeve në rrethrrotullim, që është planifikuar për fundit e tetorit të sivjetshëm kur, siç tha, rrethrrotullimi do të jetë në funksion të plotë.