Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, inspektoi punimet në rrugën transite të Shtimes
Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë dhe së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, i bëri një inspektim fazës së dytë të punimeve të rrugës transite të Shtimes, që edhe këto ditë, në prag të stinës së dimrit, por në saje të motit të përshtatshëm, janë duke u zhvilluar me intensitet të plotë.
Pas inspektimit të trasesë dhe bisedës me udhëheqësit e punimeve, të cilët e informuan hollësisht ministrin Mujota me rrjedhën e tyre, ministri i Infrastrukturës bëri një prononcim para përfaqësuesve të medieve, të cilat e përcollën këtë ngjarje.
“Sot jam në vizitë pune në komunën e Shtimes dhe shpreh kënaqësinë që sot po përcjellim nga afër zhvillimin e punimeve në rrugën transitore të Shtimes, një rruge e cila ka rëndësi jo vetëm për komunën e Shtimes dhe komunikacionin në këtë komunë, por edhe për një pjesë të madhe të komunikacionit në të gjithë Republikën e Kosovës. Ky është një projekt prej më të mëdhenjve në infrastrukturën e kësaj komune; përfundimisht deri në fund të vitit 2012 do të jetë e përfunduar faza e dytë e transitit të Shtimes, mirëpo synimi ynë shkon edhe më tutje - Ministria ka hartuar projektin edhe për fazën e tretë, që do të thotë se do të lidhen magjistralet Ferizaj – Shtime – Prizren dhe Prishtinë – Shtime – Prizren, që nënkupton një shkarkim të madh të komunikacionit në komunën e Shtimes. Një projekt i këtillë ka munguar për kohë të gjatë, andaj është mire që tani janë krijuar kushtet dhe ky investim po ecën mbarë. Në këtë fazë investimi kap shumën prej mbi 700 mijë eurosh dhe presim që të përgatitemi edhe për fazën e tretë të këtij projekti. Kryetarin e komunës dhe organet drejtuese të saj i përgëzoj për një punë të madhe për një bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me Ministrinë e Infrastrukturës. Edhe punëkryerësi ka filluar punën mbarë, ndërsa organet drejtuese dhe mbikëqyrëse të Ministrisë po e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet dhe jam këtu për ta dhënë edhe një porosi të drejtpërdrejtë për të gjithë punëkryerësit kudo që t’u përmbahen afateve kohore të parapara me projektet, planet dinamike dhe natyrisht edhe kushteve të projektit. Jemi të bindur se po bëjmë një punë të madhe për banorët e kësaj ane dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, - tha në prononcimin e tij ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Kryetari i Komunës, Naim Ismajli, i cili e cilësoi projektin e rrugës transite si projektin më kapital të komunës së Shtimes, i shprehu mirënjohje të veçanta Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, që investuan në realizimin e këtij projekti, i cili do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik jo vetëm të komunës së Shtimes, por edhe të komunave përreth, sepse krijon kushtet për qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.
Zyra për Informim Publik e MI