Sot ministri Fehmi Mujota foli para ministrave të SEETO-s në Belgjikë

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, me një delegacion të lartë nga Ministria e Infrastrukturës, po merr pjesë ne Takimin e Shtatë Vjetor Ministror të SEETO-s, që po mbahet në Antwerpen të Belgjikës.

 

Në sesionin e sotëm të takimit, në të cilin kanë marrë pjesë ministra të transportit të vendeve të Evropës Juglindore, anëtarë të SEETO-s, ministri Mujota ka prezantuar vizionin e zhvillimit ekonomik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në fushën e  infrastrukturës.

 

Me atë rast ministri Fehmi Mujota ka prezantuar të arriturat e deritashme të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe lidhjen e Republikës së Kosovës me vendet e rajonit dhe korridoret ndërkombëtare. Ministri Mujota ka veçuar investimet e fuqishme  në ndërtimin e autostradës “Dr. Ibrahim Rugova”, finalizimin e projektit të autostradës Prishtinë - Shkup , si dhe projektin e modernizimit të linjës 10 hekurudhore si parakushte për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike. Njëkohësisht, ministri Mujota ka kërkuar përkrahjen e Komisionit Evropian, SEETO-s dhe mekanizmave të tjerë për Kosovën në rrugën e saj drejt së ardhmes evropiane.

 

Ndërkohë ministri Mujota ka pasur një sërë takimesh me ministrat pjesëmarrës, me përfaqësues të Komisionit Evropian, përfshirë zëvendëspresidentin e KE-së, Siim Kallas dhe me drejtues të SEETO-s, të cilët u zotuan se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të këtyre organizmave në rrugën  e saj drejt integrimit evropian .

 

Takimi ministror i SEETO-s do të përfundojë nesër, më 30 nëntor, me nxjerrjen e konkluzioneve dhe objektivave për të ardhmen.

Foto Galeria

Video Galeria