Shqyrtimi i projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit Plainifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Prishtinë,

16 nëntor 2021



Me qëllim të: 

 

• adresimit të rekomandimeve nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, 

• përmirësimet të kualitetit të projekteve, 

• shqyrtimit të procedurave financiare dhe teknike, 

• shqyrtimit të ligjshmërisë dhe çështjeve të tjera të rëndësishme lidhur me implementimin e projekteve, me datë 28/06/2021 me nr. prot 2543/21, është formuar grupi punues ministror (GP) për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga buxheti i MMPHI me c’rast janë evidentuar shumë mangësi procedurale e shkelje ligjore. GP është ngarkuar me detyrën që ta shqyrtojë: (i) ligjshmërinë e procedurave të prokurimit, (ii) rregullat financiare, (iii) marrëveshjet, (iv) kontratat, (v) memorandumet e bashkëfinancimeve dhe (vi) aspektet e tjera ligjore për projektet kapitale të financuara nga buxheti i MMPHI në fushën e ujërave gjatë periudhës 5 vjeçare (2016-2020/21).

Një nga gjetjet e grupit punues nga shqyrtimi i dokumentacionit është: 

“Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Shtimjanja në seksionet Caralevë-Shtime, dhe Mollpolc-Petrovë-Shtime-Vojnovc.”

Projekti është bërë nga ALB-ARCHITECT ne baze te kontratës kornize me Ministrinë. Projekti titullin e ka për pastrimin e lumit ndërsa titulli i projektit ne dokumentacionet e situacioneve te lumit figuron: Projekti kryesor për zgjerimin dhe pastrimin e lumit, dhe projekti është i pa vulosur.

Vlera e hartimit te projektit 299,420.00 EUR, vlerë kjo për pastrim te lumit, projekti i ka gjithsejtë 18 faqe, ndërsa vlera e tërësishme e dy kontratave 598,414.30 EUR. Ky projekt është me bashkëfinancim. Ne shkresat e lëndës nuk ka leje ndërtimi, pëlqim ujor dhe pëlqim mjedisor.

Punët e gërmimit me projekt janë kuantifikuar dhe përllogaritur me njësi lineare pra me metër gjatësi (!), e jo me njësi vëllimore, pra me metër kub, siç do të duhej të bëhej. Këtu kemi paramasen dhe parallogarinë prej 1 faqe A4 dhe 10 plane te situacionit në harta të formatit A0. Projekti nuk ka profil gjatësor dhe profilet tërthore dhe as analize hidrologjike te sasisë se ujit dhe aluvioneve. Ne baze te projektit, punët përgatitorë kane kosto me te madhe se punët kryesore, vlera e punëve përgatitore 360,781.50 EUR, ndërsa punët kryesore 97,637.00 EUR.

Projekti nuk ka raport teknik dhe përshkrim teknik. Titulli i projektit është pastrim i lumit, ndërsa brendia pastrim dhe zgjerim, ndërsa zgjerim nuk ka, projektin e ka porositur Ministria. Projekti kryesor, nuk e përmban ne veti projektin ideor, projekti ideor nuk na u ka prezantuar ne shkresat e lëndës dhe nuk ka projekt ideor, ndërsa fatura për pagesë e përmban edhe pjesën ideore të projektit. Projektin hartues, zgjerimi dhe pastrimi i lumit Caraleve –Shtime dhe Mollopolc-Petrove-Shtime Vojnovc, ne pese kopje te forta dhe një kopje ne forme elektronike-CD e kishte pranuar koordinatori i projekteve dhe i cili kishte vlerësuar se projekti është dorëzuar konform kontratës dhe i cili i plotëson te gjitha kërkesat teknike, i njëjti i kishte pranuar faturat, për pagesën e këtij projekti hartues, i kishte aprovuar dhe procesuar për pagesë. 

Hartimi i këtij projekti zbatues ishte iniciuar nga njësia kërkuese, Departamenti i Ujërave i cili inicim ishte një inicim formal, i pa argumentuar, i pa arsyetuar, inicimi ishte bërë me një shkresë me pesë rreshta, ndërsa vlera e pagesës për ketë projekt ishte 299,420.00 EUR. Konsiderojmë se ka pasur tejkalim te kompetencave ligjore nga ana e zyrtarit përkatës për pranimin e dokumentacionit ndërtimor dhe i njëjti nuk ishte kthyer mbrapa apo ne plotësim. 

Gjetjet nga terreni 

Nga shikimi i kryer në terren ka mundur të konstatohet si vijon:

• Faza e I-rë e projektit (pastrimi i lumit në gjatësi 28.9km ishte kryer në vitin 2016. Shtrati i pastruar i lumit dhe në disa seksione i zgjeruar ishte në gjendje relativisht të mirë (hiç mbeturinat e ngurta të hedhura). Sipas fjalëve të zyrtarëve të komunës, pas pastrimit të lumit të kryer me këtë projekt, nuk ka pasur më përmbytje të tokave buzë shtratit të lumit që ka qenë dukuri pothuajse e rregullt para pastrimit të lumit. Incizimi gjeodezik pas kryerjes së punimeve nuk ishte realizuar edhe pse ka qenë paraparë me kontratë. Pagesa për zbatimin e punimeve është kryer në tërësi: nga MMPH 180,489.00 EUR dhe nga komuna 100,000.00 EUR. 

• Faza e II-të e projektit (ndërtimi i 5 urave dhe rregullimi i shtratit të lumit në Shtime) nuk është kompletuar plotësisht në mungesë të mjeteve financiare. Në vend të 5 urave secila në gjatësi 10 metra, janë ndërtuar 6 ura, njëra prej tyre në gjatësi 10 metra dhe 5 të tjera në gjatësi nga 7 metra secila. Shtrati i lumit brenda zonës urbane të Shtimes është rregulluar pjesërisht – vetëm muret e brigjeve të shtratit minor në gjatësi 600 metra. Muret janë betonuar por nuk janë muratuar me gur siç është përshkruar në kontratë. Duhet theksuar se me kontratë ka qenë paraparë që afati i përfundimit të punimeve është dhjetori i vitit 2018 (2/12/2018).

Vlera e pagesave të kryera nga MMPH është: 250,998.75 EUR. 

• Projekti i fazës së II-të (urat dhe rregullimit të shtratit të lumit) nuk ka qenë në dispozicion në ditën e daljes në terren. Rrjedhimisht nuk ka mundur të bëhet vlerësimi i sasisë dhe cilësisë së punimeve kundrejt projektit.


 

Foto Galeria

Video Galeria