Republika e Kosovës ka arritur marrëveshje për shërbime ajrore me Shtetin e Katarit

Më 29 dhe 30 nëntor, një delegacion nga Republika e Kosovës me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Autoritetit të Aviacionit Civil, i udhëhequr nga z. Dritan Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i AAC-së, ka qëndruar në Shtetin e Katarit për të negociuar një marrëveshje për shërbime ajrore midis dy vendeve. Delegacioni i Shtetit të Katarit udhëhiqej nga z. Abdulla Nasser Turki Al Subaey, kryetari i Autoritetit të Aviacionit Civil. Negociatat kanë përfunduar me sukses me parafimin e marrëveshjes për shërbime ajrore, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti nga ministrat përkatës të të dy shteteve në një moment të përshtatshëm protokollar. Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Shërbime Ajrore me Shtetin e Katarit është miratuar në parim nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 7 tetor 2015.
 
Marrëveshja është e tipit liberal, pa kufizime në frekuenca ose kapacitet. Siç është praktikë në këto raste, palët kanë nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimi, i cili mundëson zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes, ende pa hyrë në fuqi, dhe në këtë mënyrë ofron kornizën e nevojshme ligjore për fillimin e fluturimeve direkte midis vendeve tona.
 
Shteti i Katarit është vendi i një prej kompanive ajrore më të mira dhe me rritjen më të hovshme në botë. Qatar Airëays është në pronësi shtetërore, ka një flotë moderne prej 167 aeroplanësh në shërbim dhe 215 të tjerë të porositur, të cilët shërbejnë mbi 140 destinacione ndërkombëtare. Në rajonin tonë, Qatar Airëays fluturon në Zagreb dhe Beograd (përmes Sofjes), ndërsa po bën studime fizibiliteti për destinacione të tjera.
 
Krerët e delegacioneve janë zotuar që në një takim të ardhshëm në Prishtinë, gjatë pranverës së vitit tjetër, të nënshkruajnë edhe një memorandum teknik bashkëpunimi mes AAC-së së Kosovës dhe asaj të Katarit për të zhvilluar bashkëpunimin mes të dy institucioneve. 

Foto Galeria

Video Galeria