Qarkullimi nëpër rrugët e vendit, i lehtësuar
11 janar 2017
Qarkullimi i automjeteve në të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në tërë vendin vazhdon të zhvillohet me lehtësi.
Bazuar në të dhënat e mbledhura nga menaxherët rajonalë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ekipeve tjera mbështetëse nga terreni, me gjithë reshjet e mbrëmshme të borës, rrugët në vend vazhdojnë të jenë të hapura për qarkullim.
Gjatë gjithë kohës, kompanitë e kontraktuara nga MI po punojnë në largimin e borës dhe në mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa menaxherët rajonalë po vazhdojnë të monitorojnë gjendjen e tyre.
Ministria e Infrastrukturës është duke punuar në koordinim me Policinë e Kosovës, për të mundësuar zhvillimin normal dhe të sigurt të komunikacionit.
Për tiu dalur në ndihmë ekipeve lokale të komunës së Gjakovës, në hyrje të qytetit dhe në disa pjesë rurale të saj janë angazhuar ekipet e MI-së në heqjen e borës dhe akullit, sikurse edhe në komunat e tjera të vendit.
Me gjithë gjendjen e mirë të rrugëve në vend, Ministria e Infrastrukturës i këshillon të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes maksimal në komunikacion, të respektojnë Ligjin dhe të jenë të kompletuar me pajisjet dimërore gjatë udhëtimit.