Përfundoi takimi dyditësh në nivel ekspertësh midis Kosovës dhe Kroacisë për transportin e udhëtarëve dhe mallrave

Sot në Prishtinë përfundoi takimi dyditësh në nivel ekspertësh i Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Detit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës së Republikës së Kroacisë, gjatë të cilit u bisedua lidhur me marrëdhëniet ekonomike në fushën e transportit midis dy vendeve, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte diskutimi i projekt-marrëveshjes për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave. Kjo marrëveshje ka për qëllim avancimin e zhvillimit të tregtisë dhe marrëdhënieve ekonomike midis dy shteteve, promovimin e bashkëpunimit në fushën e transportit ndërkombëtar në suazat e ekonomisë së tregut, zhvillimin e intermodaliteteve të transportit e të tjera.

 

Pas dy ditësh pune, anëtarët e komisionit të përbashkët Kosovë-Kroaci finalizuan tekstin e marrëveshjes bilaterale për transportin e udhëtarëve dhe mallrave.

 

Në pjesën përfundimtare të takimit, që u mbajt sot, të dy palët nënshkruan protokollin, i cili do ta rregullojë transportin midis dy vendeve deri në nënshkrimin e versionit përfundimtar të marrëveshjes. Me këtë rast palët u dakorduan që transporti i mallrave midis Kosovës dhe Kroacisë të jetë i liberalizuar, d.m.th. të zhvillohet pa pasur nevojë për dhënien e lejeve të veçanta.

 

Pas dakordimit që u bë lidhur me tekstin e marrëveshjes, ajo do të procedohet në nivel ministrash për t’u nënshkruar.

 

Foto Galeria

Video Galeria