Përfaqësuesi i MTPT-së në SEETO, këshilltari i ministrit Fatmir Limaj, Blerand Stavileci, zgjedhet zëvendëskryesues i SEETO-s
Këshilltari i ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit, Blerand Stavileci, u zgjodh zëvendëskryesues i Observatoriumit të Transportit për Evropën Juglindore (SEETO – South East Europe Transport Observatory), në mbledhjen e fundit të Komitetit Drejtues të kësaj organizate të rëndësishme rajonale. Unanimisht është vendosur që kryesuese të jetë përfaqësuesja e Kroacisë, ndërsa dy zëvendëskryesues të jenë përfaqësuesi i Kosovës, z. Blerand Stavileci dhe përfaqësuesi i Serbisë.
South East Europe Transport Observatory (SEETO) është organizatë regjionale e transportit, e themeluar me Memorandumin e Bashkëpunimit për zhvillimin e Rrjetit Themelor Regjional të Transportit, të nënshkruar më 11 qershor 2004 nga qeveritë e 7 vendeve: Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Komisionit Evropian.
Qëllimi i SEETO-s është promovimi i bashkëpunimit për zhvillimin e infrastrukturës kryesore të transportit multimodal në Rrjetin Themelor Regjional të Transportit për Evropën Juglindore, si dhe promovimi dhe rritja e kapaciteteve lokale për implementimin e programeve investive, menaxhimin dhe mbledhjen e të dhënave dhe analizat mbi Rrjetin Regjional Transportues.
Projektet e Republikës së Kosovës, të përfshira në Rrjetin Themelor Regjional, janë: autorruga R7 (Morinë - Merdar), autorruga R6 (Pejë - Prishtinë - Hani i Elezit), linja e 10-të hekurudhore (Hani i Elezit – Leshak) dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.