Pas reshjeve të fundit, të gjitha rrugët e vendit të kalueshme

Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e vendit se pas reshjeve të fundit të shiut dhe borës në vend, të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme, krejt kjo falë punës dhe përkushtimit të ekipeve për mirëmbajtjen e rrugëve.


Sa i përket rrugës Pejë-Kuqishtë, përkatësiht kilometrit të 13-të të saj, e cila si pasojë e rrëshqitjeve të dheut ishte bllokuar mbrëmë, njoftojmë se tashmë kjo rrugë është zhbllokuar falë punës së kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtje. Rruga është e lirë për qarkullim, por që ende ka rrezik nga rrëshqitjet e mundëshme të dheut. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që frekuentojnë atë zonë, që të kenë kujdes kur parkojnë rreth zonës së punimeve dhe përgjatë tërë aksit rrugor që dërgon nga Peja në Rugovë, ngase po krijohen vështirësi në punime dhe qarkullim të makinerive punuese që janë duke kryer punimet në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja.


Kurse në të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale në Republikën e Kosovës gjendja është stabile, të gjitha janë të kalueshme pa ndonjë veshtirësi. Shtresat qarkulluese janë të pastruara nga bora, ndërsa brezi rrugor është më borë.


Reshjet e borës filluan mbrëmë orës 20:40 dhe kanë vazhduar deri rreth orës 4:30 të ditës së sotme, ndërsa temperatura minimale në kohën kur janë ndalë të reshurat ishte -3 grad celsius, kurse rreth orës 7:30 ranë në -4 gradë celsius. Në disa akse rrugore mund të ketë ngrica, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes dhe t’u përshtaten kushteve dhe rregullave në trafik, në mënyrë që të rritet siguaria e qytetarëve e cila është prioriteti kryesor i yni.


Të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë në krye të detyrës, për çdo lëshim që mund të hasin qytetarët gjatë vozitjes se tyre, jemi në dispozicion për të reaguar dhe evituar pengesat eventuale.


Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar së bashku me të gjitha ekipet relevante, që të gjitha rrugët në vend të jenë të kalueshme dhe të mirëmbajtura sa më mirë që të jetë e mundur.


Foto Galeria

Video Galeria