Panairi i parë i punës në sektorin e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit
Shoqata për Teknologji Informative dhe të Komunikimit e Kosovës (STIKK), me përkrahje të Programit për Ndërmarrje Private të Kosovës i USAID-it organizoi më 16 dhjetor 2009 në mjediset e Hotel Grand në Prishtinë, panairin e parë të punës në sektorin e TIK, ku morën pjesë 9 kompani anëtare të STIKK dhe mbi 80 punëkërkues, të përzgjedhur në mesin e më shumë se 800 aplikantëve, të cilët konkurruan për 26 vende pune.
Qëllim i organizimit të këtij panairi ishte jo vetëm krijimi i një tradite për organizimin e panaireve efektive, të disenjuara për sektorë specifikë, por sidomos promovimi i shërbimeve përmes portaleve online.
Në ceremoninë e hapjes së panairit të punës morën pjesë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Z. Nenad Rashiq dhe Drejtori i Programit për Ndërmarrje Private të Kosovës (KPEP) Z. David Cowles.
Znj. Vjollca Çavolli, Drejtoreshë Ekzekutive e STIKK me këtë rast tha:“kjo është një mënyrë e re dhe mjaft interesante për të promovuar dhe menaxhuar kërkesën e të gjitha palëve të interesit për vlerën më të madhe të çdo kompanie, njeriun dhe punëtorin.”
Ministri Rashiq theksoi rëndësinë e punësimit të të rinjve, duke thënë se “vetëm në këtë mënyrë e bëjmë një shoqëri moderne dhe me vizion.” Ndërsa Drejtori i KPEP tha se KPEP beson fuqimisht se panairet e punës janë një vend me rëndësi ku kërkesa dhe oferta bashkohen dhe KPEP është thellësisht i përkushtuar që t’i bëjë bashkë kërkesën dhe ofertën për arritjen e synimeve te dëshiruara.
Dritan Mezini, udhëheqës i portalit duapune.com, deklaroi para të pranishmëve se Kosova është pioniere në fushën e TIK dhe panairi i punësimit është një mënyrë moderne e aplikacionit virtual.
Panaire të tilla planifikohet të organizohen disa herë gjatë vitit të ardhshëm.