Obiliqi me rrugë të reja
Prishtinë, 5 gusht 2019
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit Rexhep Kadriu, të hënën mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Milloshevë - Plemetin, dhe asfaltimin e rrugës Palaj - Ljathishtë, komuna e Obiliqit. Ai vizitoi nga afër edhe asfaltimin e segmentit të dytë të rrugës Nacionale N2, segmenti Nadakoc - Smrekonicë.
Zëvendësministri Kadriu, operatorëve ekonomik ua përcolli mesazhin e ministrit Pal Lekaj, se punimet duhet të realizohen me cilësi të lartë dhe sipas dinamikës e parametrave të parapara me kontratë.
Rruga Milloshëvë - Plemetin është e gjatë afër 2 kilometra dhe kosto e saj është 152 mijë euro. Ajo Palaj- Lajthishtë ka gjatësi mbi 2.2 kilometra dhe vlera e investimit është mbi 330 mijë euro. Të dy këto rrugë janë investim i MIT dhe po realizohen në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes ministrisë dhe komunës së Obiliqit.
Kurse segmenti i dytë i rrugës Nacionale N2, Nadakoc – Smrekonicë ka gjatësi 2.5 kilometra dhe ka vlerë investive afër dy milionë euro dhe është pjesë e investimit të zgjerimit të rrugës Nacionale N2, Prishtinë - Mitrovicë.