Nisin punimet në rrethrrotullimin në rrugën Prishtinë – Lipjan

8 prill 2017


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, inspektuan punimet në aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi dhe përuruan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan  (te burgu).

Në fjalën e tij ministri Zharku ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të zbatojë Memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në mes MI dhe Komunës së Lipjanit  për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në këtë komunë, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti. Po ashtu, ministri Zharku foli edhe për projektet e tjera të rëndësishme për komunën e Lipjanit, si për rrugën e cila do të lidhë qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë-Shkup dhe rikonstruksionin e rrugës në Gadime, si dhe disa projekte të tjera.

Ndërsa kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për komunën e Lipjanit, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin më të madh të kësaj komune.

Projekti për aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi është financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë 439,916.54 euro dhe ka një gjatësi prej 5026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.
Po ashtu, projekti tjetër i ndërtimit të rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan  (te burgu) është financuar nga MI në vlerë 242,310.27 euro.

Investimet e bëra nga MI në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Lipjan po ndihmojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj pjese, zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen më të mirë të njerëzve dhe mallrave.
 

Foto Galeria

Video Galeria