Nënshkruhen udhëzimet administrative për licencimin e terminaleve të mallrave dhe të operatorëve të transportit rrugor të udhëtarëve

Më 17 dhjetor në Ministrinë e Infrastrukturës janë nënshkruar dy udhëzime të rëndësishme administrative: Udhëzimi Administrativ Nr.8/2015 për licencimin e terminaleve të mallrave dhe Udhëzimi Administrativ Nr.7/2015 për licencimin e operatorëve të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus.
 
Udhëzimi Administrativ për licencimin e terminaleve të mallrave përcakton procedurat administrative dhe kriteret profesionale dhe teknike të licencimit të terminaleve të mallrave, që funksion kryesor kanë deponimin, ngarkim-shkarkimin dhe distribuimin e mallrave në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ky udhëzim njëkohësisht bën definimin e mënyrës së funksionimit të terminaleve të mallrave dhe rolin e tyre në tregun e industrisë së transportit të mallrave, duke definuar aspektet e ushtrimit të veprimtarisë së terminaleve të mallrave, duke i ndarë ato nga terminalet doganore, të cilat janë kompetencë e Doganave të Kosovës, bazuar në Kodin Doganor dhe Akcizave Nr.03/L-109.
 
Ndërkaq, me Udhëzimin administrativ për licencimin e operatorëve të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus janë përcaktuar kushtet dhe kriteret profesionale dhe teknike të licencimit të operatorëve të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e transportit rrugor të udhëtarëve në transportin vendor dhe në atë ndërkombëtar, që krijon kushte më të favorshme për operatorët që të kenë qasje më të lehtë në tregun e transportit të brendshëm dhe të jashtëm.
 
Qëllimi i këtyre dy udhëzimeve është krijimi i lehtësive administrative, teknike dhe ligjore për operatorët ekonomik që ushtrojnë veprimtarinë e terminaleve të mallrave, përkatësisht të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus, duke iu krijuar atyre mundësi të qasjes së barabartë jodiskriminuese dhe treg liberal në baza konkurrente.

Foto Galeria

Video Galeria