Në Shkup u nënshkrua Marrëveshja mbi rregullimin kufitar të trafikut hekurudhor midis Kosoves dhe Maqedonise
Sot në Shkup qëndroi një delegacion i Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, me në krye ministrin Fehmi Mujota, në përbërje të të cilit ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi, i cili në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë pati një takim pune me delegacionin maqedonas, të prirë nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Gjatë bisedës kokë më kokë që patën dy ministrat, ministri Mujota, pasi e falënderoi Republikën e Maqedonisë për bashkëpunimin e ndërsjellë, e njoftoi homologun e tij për zhvillimin e deritashëm të Kosovës dhe të fushave që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe për rezultatet të aktiviteteve të deritashme të Ministrisë, pastaj për harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane, për reformat ligjore dhe përshtatjen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të Bashkimit Evropian, për t’u përqendruar veçmas në investimet në infrastrukturën rrugore dhe në autostradën Vërmicë-Merdar si projektin më madhor infrastrukturor që është duke u realizuar në vendin tonë.
Me këtë rast Mujota e informoi nikoqirin edhe për prioritetin që i është dhënë autostradës Prishtinë-Shkup, për të cilin tashmë është përfunduar projekti zbatues dhe studimi i fizibilitetit, duke potencuar se realizimi i këtij projekti është me interes vital për të dy vendet.
Duke u ndalur te marrëveshja mbi rregullimin kufitar të trafikut hekurudhor midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që ishte qëllimi kryesor i takimit të sotëm dypalësh në Shkup, ministri Fehmi Mujota foli për rëndësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që hap rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera të veçanta. Në kuadër të kësaj, Mujota e njoftoi ministrin Janakievski për marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova i ka nënshkruar deri sot me vendet e tjera, duke propozuar njëkohësisht që gjatë periudhës së ardhshme të mbahen takime të përbashkëta në nivel ministrash të infrastrukturës dhe transportit të vendeve të rajonit, që do t’i kontribuonin zhvillimeve të ardhshme në këto fusha.
Sa u përket çështjeve të tjera, Mujota e njoftoi ministrin maqedonas lidhur me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe zhvillimeve në të, ku këtë vit
parashihet të kalohet numri prej 1 milion e 300 mijë udhëtarëve, pastaj foli për çështje me interes për të dy vendet që kanë të bëjnë me zhvillimin e hekurudhave dhe standardizimin e tyre, për miratimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës dhe për reformat në kompaninë hekurudhore kosovare, ndërsa ministri Janakievski shfaqi interesimin për hapjen e hapësirës ajrore të Kosovës për kalime nga Maqedonia, me të cilën u pajtua edhe Mujota, i cili tha se hapja e hapësirës ajrore të Kosovës është interes edhe i vendit tonë.
Pas këtij takimi, u mbajt takimi plenar i dy delegacioneve, pas të cilit ministri kosovar i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe ai maqedonas i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski solemnisht nënshkruan Marrëveshjen mbi rregullimin kufitar të trafikut hekurudhor midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Në konferencën për shtyp, të mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha:
“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të popullit të Kosovës të shpreh konsideratën e madhe për ministrin dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe popullin e Maqedonisë për bashkëpunimin e deritashëm dhe për gatishmërinë e rritjes së bashkëpunimit dhe forcimin e raporteve tona shtetërore.
Është një rast i veçantë që sot dy ministritë tona, dy qeveritë tona nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e transportit hekurudhor, me të cilën rregullojmë dhe lehtësojmë shumë çështje të transportit hekurudhor, duke mundësuar lehtësimin e procedurave dhe, natyrisht, forcimin e bashkëpunimit në të mirë të qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.
Jemi të bindur se kjo marrëveshje që sot po nënshkruhet është një hap shumë i rëndësishëm, që mundëson së shpejti nënshkrimin edhe të marrëveshjeve të tjera. Ne që sot mund të paralajmërojmë se do të kemi shumë shpejt nënshkrimin e marrëveshjes së transportit rrugor, përkatësisht të qarkullimit të udhëtarëve dhe mallrave. Ekipet tona profesionale po punojnë që të harmonizojnë një nen të diskutueshëm që ka qenë deri më tani dhe unë e mirëpres ministrin Janakievski që të vijë në Prishtinë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen.
Ne me ministrin kemi ndarë edhe shumë pikëpamje të përbashkëta në interes të të dy shteteve tona dhe planet tona të përbashkëta shkojnë në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit-Shkup, që do të lidhë dy korridore të rëndësishme – Korridorin 8 dhe Korridorin 10, që do të mundësojë zhvillim të fuqishëm të rajonit dhe mbi të gjitha do të jetë në interes të Kosovës dhe të Maqedonisë. Natyrisht, ky projekt i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i paraparë që të realizohet brenda viteve 2011-2014, për çka kemi gjetur pajtimin e plotë me ministrin që edhe Republika e Maqedonisë të përfundojë pjesën tjetër të punës.
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është hap i rëndësishëm për të dy shtetet dhe dëshmon rrugën që po ndjekin dy shtetet tona për procesin e integrimeve euro-atlantike”, - tha ministri Fehmi Mujota në konferencën me gazetarët e shumtë, që përcollën sot nënshkrimin e marrëveshjes mbi trafikun kufitar hekurudhor midis Kosovës e Maqedonisë.