Në Ministrinë e Transportit dhe Postë - Telekomunikacionit organizohet fushata ''Thuaj JO dhunës ndaj grave''

Në sesionin e 54-të  të Asamblesë së Përgjithshme të  Kombeve të Bashkuara, të mbajtur në dhjetor të vitit 1999, është miratuar Rezoluta 54/134, me të cilën data 25 nëntor është shpallur ditë ndërkombëtare për eliminimin e dhunë  ndaj gruas, që simbolizohet me kordelen e bardhë.

 

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, zyrtarja për barazi gjinore e kësaj ministrie, Adelina Kadiri-Sokoli ka ndërmarrë një fushatë, e cila ka për qëllim sensibilizimin për eliminimin e dhunës ndaj grave.

 

- Ky është viti i dytë që më 25 nëntor kjo fushatë, Ditën e luftës kundër dhunës ndaj grave, po organizohet në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, - shpjegon zonja Sokoli. ? Fushata konsiston në shpërndarjen e kordeleve të bardha, që simbolizojnë luftën për ndalimin e dhunës ndaj grave, ndaj femrës përgjithësisht, si dhe të një fletushke të vogël, ku shpjegohet rëndësia e angazhimit të përgjithshëm për ndalimin e kësaj dhune, sikundër edhe të gjitha formave të tjera të dhunës që ushtrohet mbi njeriun, në këtë rast mbi gruan. Fletushka përmban, përveç mesazhit verbal, edhe simbolin e luftës kundër dhunës ndaj grave. Të punësuarit e MTPT-së më 25 nëntor do t?i bartin kordelet e bardha, në shenjë të përkrahjes së angazhimeve të përgjithshme për ndërprerjen e dhunës ndaj grave. Fushata, - shpjegon më tutje zonja Sokoli, - konsiston edhe në dërgimin e mesazheve kundër dhunës ndaj grave nëpërmjet adresave elektronike të të gjithë kolegëve dhe kolegeve tona në ministri, që do ta bëjë fushatën më të efektshme.

 

Dhuna ndaj grave është një problem i përmasave të mëdha, andaj shënimi i kësaj dite ka për qëllim që dhunën ndaj grave ta ngre si problem, për eliminimin e të cilit duhet të angazhohen të gjithë, femra e meshkuj në mbarë botën. Për këtë arsye duhet që kjo çështje  të mos trajtohet vetëm si problem i grave, sepse çdokush mund të jetë objekt i dhunës - gratë, nënat, motrat dhe bijat tona.  

 

Vitin e kaluar në këtë fushatë, të cilën e patën përkrahur edhe zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, patën marrë pjesë të gjithë punonjësit e Ministrisë, andaj pritet që edhe fushata e sivjetshme të jetë e suksesshme, me të cilën MTPT-ja i bashkohet fushatës që zhvillohet anekënd botës për ndërprerjen e dhunës ndaj gruas.

Foto Galeria

Video Galeria