Në Ministrinë e Infrastrukturës shënohet 25 Nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas

Në sesionin e 54-të  të Asamblesë së Përgjithshme të  Kombeve të Bashkuara, të mbajtur në dhjetor të vitit 1999, është miratuar Rezoluta 54/134, me të cilën data 25 nëntor është shpallur ditë ndërkombëtare për eliminimin e dhunës  ndaj gruas, që simbolizohet me kordelen e bardhë. Po atë ditë fillojnë edhe të ashtuquajturat “16 ditët e aktivizimit”, që zgjasin deri më 11 dhjetor, të cilat paraqesin periudhën e fushatës së përgjithshme për eliminimin e dhunës ndaj gruas.

 

Dhuna ndaj grave është një problem i përmasave të mëdha, andaj shënimi i kësaj dite ka për qëllim që dhunën ndaj grave ta ngre si problem, për eliminimin e të cilit duhet të angazhohen të gjithë, femra e meshkuj, në mbarë botën. Për këtë arsye duhet që kjo çështje  të mos trajtohet vetëm si problem i grave, sepse çdokush mund të jetë objekt i dhunës - gratë, nënat, motrat dhe bijat tona.  

 

Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas dhe 16 ditët e aktivizimit shënohen me një përkushtim të posaçëm edhe në Ministrinë e Infrastrukturës falë angazhimit të zyrtares për barazi gjinore të kësaj ministrie, Adelina Kadiri–Sokolit, e cila përpiqet që çdo vit t’i begatojë format e shënimit të 25 Nëntorit dhe 16 ditëve të aktivizimit, në mënyrë që ato të jenë më të efektshme dhe të kenë jehonë sa më të gjerë jo vetëm te nëpunësit e kësaj ministrie, por edhe më gjerë.

 

- Para katër vitesh fushatën për eliminimin e dhunës ndaj gruas e kemi shënuar me shpërndarjes e kordeles së bardhë te të gjithë nëpunësit e Ministrisë së Infrastrukturës, një vit më vonë, krahas kordeles së bardhë kemi shpërndarë edhe fletushkën “Stop dhunës ndaj gruas”, të cilën e kemi përgatitur enkas për fushatë, ndërsa vitin e kaluar, me iniciativën tonë dhe në bashkëpunim me Postën dhe Telekomunikacionin është emetuar pulla e veçantë postare “Stop dhunës ndaj gruas. Edhe sivjet fushatën e kemi begatuar me elemente të reja. Kështu, krahas kordeles së bardhë do ta shpërndajmë edhe një sasi fanellash me logon “Stop dhunës ndaj gruas”, ndërkaq në rrugët  magjistrale M2 dhe M9 do të vendosen 60 bilbordë:  30 në rrugën e Veterniku deri te QMI , 20 në rrugën nga semaforët para ETC-së deri në Fushë Kosovë dhe 10 bilbordë  në rrugën nga Rrethi i KFOR-it deri në Shakbaj. Të gjitha këto do të jenë në funksion të eliminimit të dhunës ndaj grave dhe kanë për qëllim që të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës  t’ua tërheqin vëmendjen për rëndësinë e kësaj date, kur të gjithë bashkarisht njëherë e përgjithmonë duhet t’i themi „Jo!“ dhunës ndaj gruas, ndaj femrës përgjithësisht, - shpjegon Adelina Kadiri-Sokoli, zyrtare për barazi gjinore në Ministrinë e Infrastrukturës.

 

Fushata për eliminimin e dhunë ndaj gruas ka karakter mbarënjerëzor dhe do të organizohet në të gjitha vendet e botës.

Foto Galeria

Video Galeria