Ndizen 68 qirinj për viktimat e trafikut rrugor
Ministria e Infrastrukturës bashkë me Policinë e Kosovës dhe Asociacionin Kosovar të Motorizmit “AMRKS”, të dielën kanë bërë mbylljen e javës botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor.
Në përkujtim të 68 jetëve të humbura nga aksidentet në trafik, përfaqësuses nga këto institucione, kanë ndezur po aq qirinj dhe kanë lëshuar numër të njëjtë të balonëve.
Fejzualla Mustafa, drejtor i Këshillit për Sigurinë në Komunikacion Rrugor në MI, tha se kjo javë me aktivitete të furishme, kishte për qëllim dhënien e mesazhit tek qytetarët e Republikës së Kosovës që duhet të jenë të kujdesshëm në vozitje, me qëllim që të mos bëhen pjesë e statisitkave të viktimave nga aksidentet e trafikut rrugor.
Ai bëri thirrje që vozitësit të jenë të kujdesshëm në trafik, të ndjekin rregullat, të mos përdorin telefonin apo të konsumojnë alkoolin dhe të bartin rripin e sigurisë gjatë ngasjes.
Mesazh të njëjtë përçoi edhe Jeton Rexhepi, drejtor i divizionit për komunikacion në Policinë e Kosovës, i cili shprehu gatishmërinë e policisë për të përkrahur secilin aktivitet që ka qëllim ngritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Ai tregoi se numri i viktimave nga aksidentet këtë vit ka rënë nga ai i kaluari, që ishte 98.
Muhamed Krasniqi, përfaqësues i AMRKS, tregoi se ky është viti i gjashtë që Kosova i bashkangjitet vendeve të tjera të botës për të shënuar përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor.
Këtë vit moto e kësaj jave ishte “Përkujto, mbështet dhe vepro”, përgjatë së cilës u mbajtën konferenca online, kontrollim i rrugëve e kampanjë mediale për sensibilizim të opinionit rreth rrezikut në trafikun rrugor.