Mujota: Të bashkëpunojmë edhe mëtutje, që ta rrisim sigurinë në komunikacionin rrugor të vendin tonë
Sot, u mbajt takimi i radhës i Këshillit Ndërministror, për siguri në komunikacionin rrugor, të cilin takim e udhëhoqi Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Në këtë takim u diskutua rreth numrit të aksidenteve për vitin 2012 si dhe u raportua për periudhën Janar-Mars 2013. Ndërsa, temë tjetër ishte edhe ajo rreth masave të sigurisë në komunikacion për vitin 2013.
Në fjalën e tij, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota pohoi :” Siguria në komunikacionin rrugor është një problem global, dhe si pasojë e të cilit shkaktohen humbje të mëdha njerëzore dhe ekonomike në çdo vend. Edhe në Kosovë ky problem dita ditës është në rritje dhe po krijohet një realitet i ri jo i mirë, me të cilin po ballafaqohemi çdo ditë”.
Ministri Mujota theksoi se aksidentet në komunikacionin rrugor janë shkaktari numër një i vdekjeve të njerëzve nga fatkeqësitë në Republikën e Kosovës, dhe kësaj gjendje po i ndihmon edhe më shumë rritja e vazhdueshme e numrit të automjeteve.
Andaj, kërkohet një angazhim gjithëpërfshirës i të gjitha institucioneve që ne drejtojmë, që të bëhet gjithçka që është e mundur që numri i aksidenteve dhe fatkeqësive në komunikacionin rrugor të zvogëlohet dhe të rritet siguria për qytetarë, shtoi ministri Mujota.
Në Republikën e Kosovës në vitin 2012 kanë ndodhur gjithsej 19 756 aksidente, ku si pasojë kemi pasur 8 561 persona të lënduar dhe 121 të vdekur. Krahasuar me vitin 2011 kemi pasur një rritje të aksidenteve dhe personave të lënduar, por është me rëndësi se numri i personave të vdekur ka pasur një ulje të ndjeshme prej - 22.9 %.
Numri i përgjithshëm i aksidenteve në periudhën Janar-Mars 2013 është 4057 apo për -7.4 % më i vogël se në periudhën e njëjtë të vitit 2012. Persona të vdekur gjatë kësaj periudhe të vitit janë gjithsej 17, një më pak se vitin e kaluar, ndërsa shqetësues është fakti se kemi një rritje të numrit të personave të lënduar prej +34.6%.
Duke u përballur me këtë numër të lartë të aksidenteve në komunikacionin rrugor, është e nevojshme një koordinim dhe bashkëpunim sa më i mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, sepse aksidentet paraqesin një problem i cili përfshinë fusha të ndryshme dhe përballja me të është e pamundur të realizohet vetëm nga një institucion i caktuar. Në këtë kontekst nuk duhet përjashtuar edhe ndihmën e madhe që mund ta japin organizatat e ndryshme jo-qeveritare e sidomos mjetet e informimit, tha kryesuesi i këtij takimi-ministri Mujota.
Në takimin e këtij këtij këshilli u vendos që të shtohet bashkëpunimi në mes të institucioneve të cilat kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacionin rrugor, duke I përfshirë dhe komunat dhe Ministrinë e Shëndtësisë, për shkak se gjatë muajve të verës, ka numër më të madh të automjeteve në trafik, duke llogaritur në ardhjen e bashëvendasëve tanë nga diaspora.
Të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi u shprehën se rritja e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, është përgjegjësi e të gjitha institucioneve duke filluar nga ato shkollore, e deri te institucionet tjera që kanë ndikim në këtë aspekt. Pjesëmarrësit e takimit të Këshillit Ndërministror, vlerësuan se thellimi i këtij bashkëpunimi do të rritet në mënyrë që të përmirësohet gjendja e sigurisë në rrugë në të ardhmen.
Në këtë takim morën pjesë edhe: zëvendëministri i Punëve të brendshme, Ismet Ibishi, Zv.ministri i Financave Ramadan Avdiu, av.ministri I Shendetsisë Naim Fetahu, nga MASHT-i Ragip Gjoshi, nga Asociacioni I Komunave Sazan Ibrahimi, nga Policia e Kosovës Sheremet Ahmeti si dhe nga Sekretariati për siguri në Komunikacion Rrugor-MI, Jakup Hoti.