Mujota priti në një takim ministrin e Transportit të Maqedonisë Mile Janakieski

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota priti sot në një takim Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Mile Janakieski, i shoqëruar nga ambasadori i Maqedonisë së Prishtinë, Stojan Karajanov.

 

Në këtë takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, në lëmitë që iu përkasin këtyre dy ministrive.

 

Një theks i veçantë iu kushtua projektit të ndërtimit të Autostradës Prishtinë-Shkup.

Me këtë rast Ministri Mujota e njoftoi homologun e tij nga Maqedonia me ecurinë rreth këtij projekti madhor dhe me rendësi të veçantë për të dyja vendet fqinje, Kosovën dhe Maqedoninë.

Mujota dhe Janakieski, u pajtuan që të krijohen grupet teknike, të të dyjave vende, lidhur me realizimin e këtij projekti rrugor. Ata shprehen mendimin e tyre se për ta ndërtuar këtë projekt duhet të gjindet forma më e mirë e financimit.

 

Në këtë takim gjithashtu është diskutuar edhe për nënshkrimin e marrëveshjës së bashkëpunimit në transportin rrugor, për transportin e udhëtarëve dhe mallrave.

 

Mujota dhe homologu i tij maqedonas Janakieski, u dakorduan se për të arritur, deri te nënshkrimi i kësaj marrëveshje, duhet themeluar grupet teknike nga të dyja vendet fqinje, në mënyrë që të hartohet drafti i kësaj marrëveshje, dhe pastaj të arrihet nënshkrimi i saj.

 

Foto Galeria

Video Galeria