MIT-Policia e Kosovës, memorandum për regjistrim të automjeteve të aksidentuara
Prishtinë, 21 qeshor 2019
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të premten nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Përmes kësaj marrëveshje, do të bëhet regjistrimi i të gjitha veturave të aksidentuara, vendim kz i marrë nga Këshilli për Siguri në Trafikun Rrugor.
MIT-ja përmes institucioneve të saj në varësi do të realizojë një platformë “Ueb-Servisi” apo “Modul Elektronik On-line” për evidentimin dhe regjistrimin e automjeteve të involvuara në aksidente rrugore përmes VIN, (fotografive dhe dokumentacioneve tjera të automjeteve); do të kujdeset për ruajtjen, përdorimin dhe administrimin e shënimeve me qëllim që të bëhet kontrolli i plotë/saktë i automjeteve të aksidentuara, për rikthim në qarkullim rrugor pas riparimit apo ri-aftësimit; do të kujdeset që të ndaloj rikthimin në qarkullim të automjeteve të dëmtuara në aksidente pa e kryer kontrollin e riparimit apo përmirësimit sipas nenit 27 të Ligjit Nr.05/L-132 për Automjete; do të kujdeset këtë që platformë ta vë në dispozicion të Departamentit për Regjistrim të Automjeteve në Agjensionin e Regjistrimit Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme në mënyrë që të eliminohen mundësitë e shmangies së automjeteve të aksidentuara në trafik;
Lekaj theksoi se MIT, me anë të këtij memorandumi tregon vendosmërinë e promovimit të sigurisë në rrugë dhe bashkërenditjen e aktiviteteve në sektorin e sigurisë rrugore, si dhe realizimin e qëllimeve të përbashkëta në fushën e sigurisë rrugore.
Qalaj, theksoi përkushtimin e policisë për të përmbushur të gjitha obligimet që derivojnë nga ligjet e Republikës së Kosovës, për të krijuar trafik të sigurtë.