Ministri Zharku nënshkruan Udhëzimet Administrative nr. 02/2017, nr. 03/2017 dhe nr. 04/2017
Prishtinë, 24 mars 2017
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka nënshkruan Udhëzimet Administrative (MI) nr. 02/2017 për paisje dimërore, nr. 03/2017 për ulësen e sigurisë për fëmijë dhe nr. 04/2017 për transportin e personave në hapësirën për vendosjen e ngarkesës me mjetin rrugor.
Me Udhëzimin Administrativ nr. 02/2017 përcaktohen pajisjet dimërore për automjetet dhe bashkësitë e mjeteve dhe mënyra e përdorimit të tyre gjatë sezonit dimëror me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.
Dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ zbatohen për të gjithë shoferët që drejtojnë automjetet dhe bashkësitë e mjeteve gjatë sezonit dimëror, në periudhën kohore nga 15 nëntori deri më 15 mars. Këtu përfshihen pajisjet dimërore për automjete të udhëtarëve dhe mjeteve transportuese deri 3.5 tona, pajisjet dimërore për autobus dhe mjeteve transportuese mbi 3.5 t, shenjat e pneumatikëve dimërore dhe pneumatikët me gozhda. Dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ nuk zbatohen për mjetet e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Udhëzimi Administrativ nr. 03/2017 për ulësen e sigurisë për fëmijë përcakton kushtet dhe mënyrën e përdorimit të ulëses së sigurisë për fëmijë.
Ky Udhëzim Administrativ është në pajtueshmëri me Direktivën Evropiane 91/671/EEC të datës 16.12.1991 për përafrimin e ligjeve të shteteve anëtare për përdorimin e detyrueshëm të rripave të sigurisë për automjetet deri 3.5 t, e plotësuar me Direktivën Evropiane 2003/20 / EC e datës 8 prillit 2003 dhe me Direktivën Evropiane 2014/37/EU të datës 27.2.2014. Me këtë Udhëzim përcakohet sistemi i sigurisë së ulëses për fëmijë, përbërja e sistemit të sigurisë së ulëses për fëmijë, Udhëzimet e Manualit të ulëses së sigurisë për fëmijë, automjetet e kategorisë M2 dhe M3, automjeti taksi dhe jastëku i ajrit (airbag).
Ndërsa Udhëzimi Administrativ nr. 04/2017 për transportin e personave në hapsirën për vendosjen e ngarkesës me mjetin rrugor përcakton kushtet dhe kriteret për lëshimin e lejes së veçantë për mjetet, të cilat kryejnë transportin e personave në hapësirën e ngarkesës në mjetin rrugor.
Dispozitat e këtij Udhëzimit Administrativ zbatohen për të gjitha mjetet rrugore me të cilat transportohen personat në hapësirën e ngarkesës në mjetin rrugor.
Në këtë link mund ti shkarkoni Udhëzimet Administrative :
http://mi-ks.net/sq/udhezimet-administrative