Ministri Zharku në panelin diskutues, të organizuar nga KOSID
Prishtinë, 14 prill 2016
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, mori pjesë në panelin diskutues Ndikimi i veturave në shëndet dhe siguri rrugore, të organizuar nga KOSID-i. Me këtë rast, Zharku bëri të ditur se sikurse në shumicën e vendeve, edhe tek ne gjendja ekonomike ka ndikuar që përcjellja e teknologjisë së avancuar për ruatjen e ambientit të jetë në proporcion të zhdrejtë me kërkesat e qytetarëve. Si pasojë e kësaj gjendjeje, parku i automjeteve ka një mesatare të vjetërsisë prej 17 vjetëve. Përdorimi i këtyre automjeteve ka ndikim negativ në ambientin tonë përmes lirimit të gazrave të dëmshme në atmosferë gjë që ndikon në jetën e përditshme dhe shëndet.
Në Republikën e Kosovës gjatë vitit të kaluar kanë qenë të regjistruara 270.959 automjete. 22.7% prej tyre, gjegjësisht 61.420 janë më të vjetra se 25 vjet që hyjnë në kategorinë e ndotësve të mëdhenj. Vitin e kaluar janë importuar 18.794 vetura. Në kontigjentin e veturave të importuara për vitin 2015, automjetet të cilat e plotësojnë standardin EURO 3 dominojnë me 50.03 %, që mund të konsiderohet situatë e kënaqshme nëse kemi parsysh gjendjen ekonomike dhe fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës.
Prandaj, politikat e MI-së janë të orientuara që të largojnë nga qarkullimi automjetet të cilat në kohën kur janë prodhuar nuk është kërkuar që të përmbushin kritere të larta ambientale.
Ministria e Infrastrukturës në kuadër të politikave të saja, krahas sigurisë në rrugë, kujdes të veçantë i kushton mbrojtjes së mjedisit. Të gjitha Qendrat e Kontrollimit Teknik të automjeteve posedojnë teknologjinë e nevojshme për kontrollimin e gazrave. Vitin e kaluar, në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinorë, është punuar Udhëzimi Administrativ Për normat e lejuara të shkarkimeve në ajër nga burimet e levizëshme të ndotjes. Udhëzimi parasheh një fazë ekperimentale për kontrollim të gazrave të liruara nga automjetet, në një afat prej gjashtë muajsh, kurse pas kësaj periudhe do të vendoset për hapat në vazhdim, në mbështetje të rezulatateve të fituara. Një praktikë të tillë e kanë ndjekur edhe vendet e tjera para se të fillohet me kontrollin obligativ të gazrave.
Ministri Zharku theksoi se lirimi i përbërësve të dëmshëm të gazrave, nga automjetet, nuk përcaktohet vetëm nga niveli teknologjik i automjetit, por rëndësi vendimtare ka edhe kualiteti i karburantit. Sipas tij, secili nivel i standardit për lirim të gazrave (EURO 1, EURO 2, EURO 3, EURO 4, EURO 5 ose EURO 6) kërkon karburant të kualitetit të caktuar.
Momentalisht kontrolli i nivelit të gazrave kryhet me rastin e importit të automjeteve dhe në rast të mospërmbushjes së standardeve të kërkuara automjeti nuk mund të doganohet dhe të regjistrohet. Të gjitha automjetet të cilat importohen i nënshtrohen një kontrolli të rreptë si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë të përmbushjes së standardeve për lirimin e gazrave (në përputhje me legjislacionin në fuqi). Legjislacioni egzistues nuk e përcakton kontrollin e kilometrave të kaluara si dhe mirëmbajtjen në përgjithesi.
Me qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion në projektligjin për automjetet, i cili është në përgatitje e sipër, do të rregullohet në mënyrë strikte përdorimi i automjeteve të përdorura si dhe mirëmbajtja e tyre. Përveç kësaj, projektligji do të parasheh edhe trajtimin e automjeteve të cilat kanë dalur nga përdorimi. Theks të veçant do të ketë trajtimi i vajrave të makinave të dala nga përdorimi e që në fakt paraqesin rrezikun më të madh për ndotjen e ambientit në përgjithësi. Prandaj ndër prioritetet e vendosura është mbrojtja e ambientit nga automjetet e dala nga përdorimi duke përcjellë punën e serviseve dhe subjekteve të tjera të cilat merren me këtë veprimtari.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, falënderoi KOSID-in për organizimin e kësaj konference dhe për kontributin e saj në fushën e automjeteve si dhe shprehu gatishmërinë e MI-së për bashkëpunim dhe përkrahje të parezervë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.