Ministri Zharku mori pjesë në takimin ministror për transport dhe energji në Bruksel
Prishtinë, 02 mars 2016
Me ftesë të komisionerit për politika evropiane të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim, z. Johannes Hahn, ministri i infrastrukturës, z. Lutfi Zharku mori pjesë në takimin ministror për transport dhe energji të WB 6 më 1 mars 2016 në Bruksel. Takimi u përqendrua në çështje kyçe të agjendës së konektivitetit, që ka për qëllim integrimin më të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe të lidhë, në mënyrë efikase, regjionin me Bashkimin Evropian. Ministri Zharku, në fjalimin e tij, foli për të arriturat e Republikës së Kosovës në fushën e transportit, me theks të posaçëm në masat e buta që kanë të bëjnë me lehtësimin e vendkalimeve kufitare, liberalizimin e tregut hekurudhor, adoptimin e udhërrëfyesve për masat inspektuese në sigurinë rrugore, definimin e kornizës strategjike për implementimin e Sistemit Intelegjent të Transportit, planin për mirëmbajtje të të gjitha rrugëve në vendin tonë si dhe për investimet kapitale në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.
Ministri Zharku shprehu mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për iniciativën e nënshkrimit të Traktatit e Transportit. Në fund të takimit, ministrat adoptuan Deklaratën e Përbashkët me të cilën, ndër të tjera, shprehet përkushtimi i fuqishëm për Procesin e Berlinit. Përpos ministrit Zharku, në këtë takim ministror, mori pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, z. Gani Koci, i cili e mbuloi fushën e energjisë.