Ministri Zharku mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë për MSA-në

Prishtinë, 17 maj 2016


Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, e cila trajtoi temën “Stimulimi i ekonomisë, rritjes dhe punësimit”, ku pjesëmarrës, përveç spektrit politik vendës, ishte edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn.


Me këtë rast, ministri Zharku foli për projektet kapitale në sferën e infrastrukturës, me theks të veçantë për linjën hekurudhore 10, pastaj për rrugët hyrëse e dalëse në Prizren, Gjilan e Ferizaj, si dhe rreth rehabilitimit të rrugës Kllokot-Gjilan, për të cilat tanimë janë të nënshkruara marrëveshjet mbi huanë. Ai, vëmendje të posaçme i kushtoi edhe rrugës Kievë-Pejë, autostradës Besi-Merdarë, autrostradës Prishtinë- Gjilan-Dheu i Bardhë, rrugës Prishtinë–Mitrovicë, si dhe autostradës “Arbën Xheferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.


Në këtë konferencë u tha se MSA-ja është marrëveshje, e cila paraqet mundësi përvzhvillim ekonomik të Kosovës dhe krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe ajo do të ndikojë në rritjen e besimit të investitorëve të huaj, të cilët do të shprehin interesim për investim në vendin tonë.


MSA-ja e nënshkruar gjatë vitit të kaluar në mes BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, ka hyrë në fuqi të premten dhe nga kjo marrëveshje sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, priten reforma në të gjitha sferat publike në vend, përfshirë edhe hapjen e vendeve të punës.  

Foto Galeria

Video Galeria