Ministri Zharku diskuton me bizneset mbi projektet e Ministrisë së Infrastrukturës
Prishtinë, 8 shtator 2015 Rregullimi i infrastrukturës rrugore, përmirësimi i kushteve për biznes në fushën e transportit, si dhe tema të ngjajshme me interes për bizneset, e që janë pjesë e fushëveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës, u diskutuan në Mëngjesin për Shefa Ekzekutivë, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku i ftuar ishte Ministri Lutfi Zharku. Në këtë takim, të pranishëm ishin Drejtorët Ekzekutivë të kompanive anëtarë të Odës Amerikane të nivelit Patron, Korporatë dhe të Mesëm.
Në hapje të tryezës, Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Infastrukturës dhe projektet e vazhdueshme në kuadër të saj, të cilat i vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe me ndikim edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik në vend. Njëkohësisht, duke pasur parasysh që puna dhe politikat e kësaj Ministrie kanë ndikim të dukshëm edhe në punën e bizneseve, Zeka ftoi përfaqësuesit e kompanivë të cilët ishin prezent në këtë takim, që të paraqesin shqetësimet dhe rekomandimet e tyre përkatëse në këtë drejtim.
Ilir Ibrahimi, Zëvendës President i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, tha se organizimet e tilla paraqesin një platformë shumë të mirë drejt forcimit të dialogut në mes të sektorit publik dhe atij privat. Më tej, ai shtoi se bizneset duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të adresojnë shqetësimet e tyre dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
Ndërsa, Ministri Zharku u fokusua më tepër tek projektet që aktualisht janë duke u implementuar në kudër të aktiviteteve të Ministrsë që ai drejton, duke dhënë informacione të detajuara rreth tyre. Ai tha se sfidat më të mëdha të cilat ata i hasin gjatë punës së tyre, ndër të tjera kanë të bëjnë me çështjet pronësore, probleme tek hartimi i projekteve dhe papërgjegjësitë nga ana e kompanive të caktuara për zbatimin e tyre dhe kufizimet e mëdha buxhetore, ku këto të fundit pamundësojnë implementimin e projekteve tanimë të planifikuara. Më tej, Ministri Zharku përmendi edhe bashkëpunimin me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duke vlerësuar kontributin e BERZH-it në shumë projekte të deritashme për Kosovën. Ai gjithashtu informoi të pranishmin për disa projekte të rëndësishme infrastrukturore, të cilat mund të përkrahen nga BERZH-i, duke përshirë linjën hekurudhore Hani i Elezit-Leshak, trafikun urban në Prishtinë, rrugën Kijevë-Zahaq, zgjerimin e hyrjeve në Gjilan, Ferizaj, Podujevë dhe Suharekë, mundësinë e përfshirjes në ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës nga Besia në Merdare, e cila nuk mbulohet nga donacioni i Komisionit Evropian, si dhe autostradën Lipjan-Gjilan.
Në anën tjetër, kompanitë anëtare të Odës Amerikane patën mundësinë të ngrisin shqetësimet e tyre dhe të të diskutojnë mbi probleme ditore me të cilat ballafaqohen, duke ofruar rekomandime se si këto çështje duhet adresuar nga institucionet e vendit. Ministri Zharku u shpreh i vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset, duke u zotuar në marrjen e hapave konkret për ndjekjen e rekomandimeve dhe adresimin e sfidave që u ngritën nga ana e tyre gjatë këtij takimi.