Ministri Zharku dhe kryetarja Kusari- Lila përuruan ndërtimin e rrugës në Bishtazhin të Gjakovës

Prishtinë, 19 maj 2017

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku së bashku me kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjakovës, Luan Gola përuruan ndërtimin e rrugës në Bishtazhin të Gjakovës dhe vizituan projektet e tjera në përfundim në këtë komunë.

Ministri Zharku uroi banorët e Bishtazhinit për rrugën e re duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës për projektet infrastrukturore në komunën e Gjakovës. 
“Ne do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera të rëndësishme në Gjakovë, kurse momentalisht jemi duke përgatitur dokumentacionin për asfaltimin e rrugëve në fshatërat Pnisht, Rugovë të Hasit dhe Skivjan. Po ashtu, përmes procesit të huamarrjes do të fillojmë procedurat për ndërtimin e rrugëve hyrëse-dalëse të qytetit të Gjakovës, një projekt i shumëpritur nga qytetarët e Gjakovës”, theksoi ministri Zharku.

Kryetarja Kusari - Lila i vlerësoi të rëndësishme projektet infrastrukturore të financuara nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Gjakovës.
“Rruga e Bishtazhinit është e një rëndësie të madhe sepse kalon nëpër pikat kruciale për veprimtarinë në fshat, gjegjësisht, tek zyra e vendit, tek shkolla dhe në veçanti ka lehtësu levizjen dhe ndërlidhjen e kësaj pjese të fshatit me magjistralen Gjakovë Prizren. Ndërsa rruga “Petro Nini Luarasi” do të lidhë rrugën tranzit me ngrohtoren e Gjakovës dhe bënë një lidhje të drejtpërdrejtë me pjesën e re të qytetit”, theksoi kryetarja Kusari

Ndërtimi i rrugës në Bishtazhin është financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe me vlerën prej 106,998.99 eurosh, në gjatësi prej 1041 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.

Ministria e Infrastrukturës ka financuar edhe gjashtë projekte të tjera në komunën e Gjakovës, të cilat janë në përfundim.
Projektet e tjera në zhvillim të financuara nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Gjakovës janë: asfaltimi i rrugës Dol-Kusar-Goden (faza e dytë), në një gjatësi prej 11088 metrash, gjerësi prej 6 metrash, me një kosto prej 799,650.04 eurosh dhe asfaltimi i rrugës Rogovë – Dedaj në gjatësi prej 2423 metrash, gjerësi prej 6 metrash dhe me kosto prej 229,445.22 eurosh.
Po ashtu, MI ka financuar projektin për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës në Fshatin Demjan, në një gjatësi prej 5423 metrash, gjerësi prej 4.5 metrash, me një kosto prej 470,102.71 eurosh, ndërtimi e rrugës Dashinoc – Bardhaniq në gjatësi prej 1041 metrash, gjerësi prej 5.5 metrash, kosto prej 106,998.99 eurosh, si dhe asfaltimin e rrugës Pacaj – Dobrosh, me gjatësi prej 1041 metrash, gjerësi prej 5.5 metrash dhe kosto 106,998.99 eurosh.
Në përfundim është edhe projekti për vazhdimin e asfaltimit të rrugës lokale Botushë – Koshare, në gjatësi prej 1041 metrash, gjerësi prej 5 metrash, me kosto prej 106,998.99 eurosh.
 

Foto Galeria

Video Galeria