Ministri Mujota vëzhgoi punimet e rrethrrotullimit në kryeqytet
Sot ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë vëzhgoi punimet e rrethrrotullimit në hyrje të kryeqytetit, me ç’rast u bë edhe testimi statik i urës së këtij rrethrrotullimi.
Në prononcimin e tij për media, ministri Mujota tha:
- Ashtu siç paralajmëruam para pak ditësh, së shpejti do të lëshohet në qarkullim një pjesë e urës në drejtimin Mitrovicë-Shkup. Ne sot jemi këtu për të parë në praktikë fillimin e shqyrtimeve teknike. Nga këto shqyrtime, brenda dy ditësh, do t’i kemi rezultatet. Ashtu siç e kemi planifikuar, afati prej dhjetë ditësh do të jetë afat i fillimit të lëshuarjes në qarkullim të një pjese të komunikacionit dhe ashtu edhe do të ndodhë. Për këtë arsye sot jemi këtu bashkë me ekipin që të shohim në praktikë fillimin e këtyre shqyrtimeve teknike. Ne do t’i presim rezultet që dalin nga vlerësimi profesional, por siç po shihet çdo gjë po shkon mbarë dhe nuk do të ketë asnjë problem, - tha ministri Mujota.
Ndërkaq, lidhur me shpronësimin e pronave, të cilat janë parqitur si problem i zhvillimit të tërësishëm të punimeve te ky rrethrrotullim, ministri Mujota tha se shumë prona nuk kanë qenë të shpronësuara, përkatësisht nuk ka pasur elaborate të shpronësimit. Mirëpo, ashtu siç është premtuar, është marrë vendimi i Qeverisë për shpronësimet, që nënkupton edhe shpronësimin te rrethrrotullimi.
Në praninë e ministrit u bë testimi statik i urës përmes incizimit digjital me automjete me pesha të rënda, kurse i njëjti testim do të bëhet edhe me të tilla automjete në lëvizje.