Ministri Mujota vëzhgoi nga afër fillimin e asfaltimit të rrugës Melenicë-Vllahi
Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, i shoqëruar nga kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati, vëzhgoi nga afër fillimin e asfaltimit të rrugës e cila lidh fshatrat Melenicë dhe Vllahi të Shalës së Bajgorës.
Filllimisht ministri vëzhgoi nga afër vendosjen e shtresës së asfaltit të kësaj rruge.
Ndërsa, rreth zhvillimit të punimeve në këtë rrugë ministri Mujota u shpreh:” Jemi në vendpunishten ku po realizohet një projekt i rëndësishëm për banorët e këtyre zonave, nga Stan Tërgu, Melenica e deri në Vllahi. Qeveria do të respektojë të gjitha obligimet e veta dhe përgjegjësitë e veta, në raport me projektin, ndërkaç operatori ekonomik është zotuar se do të punojë me intenzitet të lartë për ta përmbyllur këtë projekt. Kjo rrugë banorëve të kësaj ane do t’u sjell qarkullim më të lehtë, zhvillim ekonomik më të madh dhe jetë më të mirë”.
Ministri Mujota premtoi se Qeveria e Kosovës do të mbajë vëmendjen e plotë për realizimin e projekteve tjera të infrastrukturës rrugore në komunën e Mitrovicës, por edhe për të gjitha pjesët tjera të Kosovës.
Ne do të vazhdojmë me realizimin e projekteve tjera për të mirën e qytetarëve të vendit tonë, në mënyrë që Kosova si shtet, të funksionojë edhe në kuptimin e infrastrukturës, dhe një shtet me prespektivë, pohoi ministri Mujota dhe shtoi:”Përveç Autostradës dhe rrugëve magjistrale, ne jemi të interesuar që të ndërtojmë rrugë të reja edhe nëpër zonat e thella të vendit tonë të cilat ofrojnë prespektivë të zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë”.
Ndërsa Avni Kastrati, e falenderoi ministrin Mujota për realizimin e këtij projekti madhor për komunën e Mitrovicë dhe banorët e këtyre fshatrave.
Rruga Melenicë-Vllahi,është e gjatë rreth 9 kilometra, ndërsa vlera e këtij projekti është rreth 1 milionë e 800 mijë euro.