Ministri Mujota u njoh nga afër me zhvillimin e punimeve në Kovragë-Istog dhe Kuqisht-Pejë
Ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, vizitoi sot disa projekte të infrastrukturës rrugore, të cilat janë duke u ndërtuar në rajonin e Dukagjinit.
Fillimisht ministri Mujota i shoqëruar nga kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, nga afër e pa zhvillimin e punimeve të cilat janë duke u zhvilluar në rrugën e cila lidhë Kovragën dhe Tomocin, të komunës së Istogut. Kjo rrugë e cila i lidh këto dy fshatra ka një gjatësi rreth 7 kilometra.
Sot ministri,Mujota së bashku me kryetarin e komunës së Pejës, Ali Berisha, vizitoi edhe punimet të cilat janë duke u realizuar në ndërtimin e rrugës Kuqishtë-Bogë.
Lidhur me zhvillimin e këtyre punimeve, ministri u shpreh:”Ky projekt është pritur gjatë nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, ka ndarë rreth 1 milion e 700 mijë euro, për këtë projekt, i cili ka një gjatësi 8 kilometra e gjysmë. Urojmë që qytetarët e vendit tonë këtë projekt ta shfrytëzojnë sa më shpejt, ndërsa kompania presim që t’i përfundojë punimet sipas dinamikës së paraparë. Ne do të jemi shumë afër këtij projekti në mënyrë që këto punime të jenë të cilësisësë duhur, në mënyrë që të sigurojmë sa më shpejt qarkullimin e qytetarëve në këtë rajon turistik dhe kaq të bukur të vendit tonë“.
Me këtë po përmbushet një premtim pubik i dhënë për këtë rrugë, kur patem premtuar se këto punime do të fillojnë gjatë këtij viti, pohoi ministri Mujota.
Ministri Mujota premtoi se do të realizohen edhe projekte të tjera të reja aty ku ka nevojë dhe duke u bazuar në buxhetin tonë. Ne jemi të gatshëm që të ndërtojmë rrugë të reja aty ku ndihet nevoja e qytetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me komunat, ne do të japim projekte të plota dhe me vlerë për vendin tonë dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.
Ndërsa, kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha e falenderoi ministrin Mujota për realizimin e këtij projekti, pasi që është një projekt i cili është i shumëpritur nga banorët e kësaj ane. “Realizimi i këtij projekti do të mundësojë qarkullimin më të lehtë të banorëve të kësaj ane, qytetarëve të Pejës si dhe vizitorëve të shumtë të kësaj pjese të bukur të Kosovës”.