Ministri Mujota priti zëvendësndihmës-sekretarin e NATO-s, Gjeneralin, Ishtvan Talla
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me bashkëpunëtorë, priti sot në takim Gjeneralin Ishtvan Talla, zëvendës ndihmës-sekretar i NATO-s të shoqëruar nga personeli i Drejtorisë së Mbrojtjes Ajrore në Bruksel dhe përfaqësues ushtarakë dhe civilë të KFOR-it në Kosovë.
Në këtë takim u diskutua për procesin e normalizimit të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.
Me këtë rast gjenerali Talla e informoi ministrin Mujota për nismën e NATO-s për të identifikuar një shtet anëtar të saj që do të ofronte përkohësisht shërbime të navigacionit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës dhe shpalosi opsionet që po i konsideron Këshilli i NATO-s.
Gjenerali Talla premtoi që procesi i hapjes së hapësirës së lartë ajrore do të përmbyllet brenda një viti ndërsa u shpreh i kënaqur me rolin që autoritetet e Kosovës po luajnë në këtë nismë.
Ndërsa, ministri Mujota shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n, dhe veçanërisht komandantët e KFOR-it, ndërsa siguroi Gjeneralin Talla se autoritetet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngusht me NATO-n, KFOR-in dhe partnerët tjerë në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme sa më të mirë për Republikën e Kosovës, sigurinë e fluturimeve, komunitetin e aviacionit dhe udhëtarët që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.