Ministri Mujota merr pjesë në Forumin Ekonomik në Uashington
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, po merr pjesë në Forumin Ekonomik për Evropën Juglindore, të organizuar nga Qendra për Studime Transatlantike në Universitetin John Hopkins në Uashington DC.
Në forum marrin pjesë zyrtarë të qeverive dhe shteteve të rajonit, të Stejt Departamentit, senatorë, kongresmenë dhe drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Në fjalën e tij ministri Mujota ka prezantuar të arriturat dhe vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumë fusha, me theks të veçantë në infrastrukturë, si parakusht i zhvillimit dhe integrimit.
Republika e Kosovës dhe Qeveria e saj janë të përkushtuara për jetësimin e reformave ekonomike e strukturore si parakusht i zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike. Në këtë drejtim, investimet në infrastrukturë janë esenciale. Ecuria pozitive e ndërtimit të autostradës Vermicë-Merdare është dëshmi konkrete e këtij përkushtimi.
- Krahas zhvillimeve pozitive, Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme politike e financiare, në këtë drejtim ndihma e institucioneve financiare ndërkombëtare për projektet e reja infrastrukturore është shumë e nevojshme dhe presim hapa konkretë, - theksoi Mujota në fjalën e tij.
Ministri Mujota gjatë qëndrimit në SHBA do të ketë takime në Kongresin amerikan, në Stejt Departament, si dhe me përfaqësues të biznesit.