Ministri Lutfi Zharku po merr pjesë në samitin e nivelit të lartë ministror për transportin rrugor
18 shtator 2015
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, me ftesë të ministres për Zhvillim Rajonal dhe Punë Publike të Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, Liljana Pavllova dhe misionit të Bankës Botërore në Bullgari, po merr pjesë në samitin e nivelit të lartë ministror për transportin rrugor, që po mbahet në Varna të Bullgarisë.
Ministri Zharku, në adresimin e tij pjesëmarrësve të samitit, foli për të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e transportit rrugor, posaçërisht në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, me theks të veçantë në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, përfundimin e pjesës së mbetur të autostradës Ibrahim Rugova, rikonstruktimin e linjës hekurudhore 10 me mbështetje të BERZh-it, BIE-së dhe Komisionit Evropian dhe për projektet tjera në fushën e transportit, si dhe për investimet në aeroportin Adem Jashari dhe masat që po ndërmirren me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor.
Në samit ministri Zharku po shoqërohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë, Shpend Kallaba.