Ministri Limaj përuroi rrugën e re të asfaltuar të Shkozës së Prizrenit
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja përuroi sot rrugën e re të asfaltuar e cila rrugë lidh fshatin Shkozë me qytetin e Prizrenit.
Pas përurimit të rrugës, ministri Limaj, tha: “ Kjo rrugë është ndërtuar sipas të gjitha rregullave dhe standardeve që duhet t’i ketë një fshat i së ardhmës së Kosovës, aty ku ne planifikojmë të shkojmë. Kemi realizuar një investim infrastrukturor me kanalizim dhe me të gjitha elementet përcjellëse” .
“Ndihem shumë mirë, që kësaj treve po i dalim borxh duke ndryshuar dhe transofrmuar në tërësi këtë regjion. Nuk është fjala më vetëm për një fshat, por po flas për Lumën, po flas për Vërrinin, regjion që ka dhënë historikisht shumë për këtë vend. Ne e kemi kënaqësinë që nipave dhe mbesave të atyre që kanë dhënë shumë për këtë vend po ua kthejmë gjallërinë e jetës, duke transfomruar dhe lehtësuar jetën e tyre, duke i bërë vendbanimet e tyre edhe më të dashura edhe të çmueshme por edhe moderne” pohoi ministri Limaj.
Gjatë fjalë së tij, ministri Limaj gjithashtu vlerësoi se ky regjion i cili dikur ka qenë me fat jo të mirë, për faktin e pozitës gjeografike, dhe që ka pas presion të vazhdueshëm, sot është kthyer në një regjion më me fat në Kosovë, për faktin që çdo gjë e mirë po fillon nga këtu. Sot, po përurojmë një rrugë lokale por përballë nesh është duke hedhur shtat autostrada e së ardhmes dhe shpresës së këtij shteti të ri dhe këta banorë cdo ditë jetojnë dhe e shohin këtë projekt nacional madhor, të paimagjinuar, një ëndërr e kahmotshme e brezave që kanë jetuar në këtë vend i cili po bëhet realitet, theksoi në mes tjerash kreu i MTPT-së.
Ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ditën e sotme e vlerësoi si një ditë të madhe dhe të gëzuar për qytetarët e Shkozës, ngase e përjtuan përurimin e kësaj rruge, që lidh këtë fshat me Prizrenin.
Muja, njëherit falenderoi ministrin Limaj dhe MTPT-në për aprovimin e projekteve të infrastrukturës rrugore të kësaj komune, nga ana e MTPT-së.
Rruga e re e sapo asfaltuar e cila lidh fashtin Shkozë me Prizrenin, ka një gjatësi rreth 3.1 kilometra.