Ministri Limaj përuroi nënkalimin hekurudhor në Ferizaj
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit Komunal të Ferizajit Bajrush Xhemajli, përuroi nënkalimin hekurudhor në qendër të Ferizajit.
“Ne kemi bërë një nënkalim vetëm për të kaluar lehtësira nga njëra pjesë e qytetit në pjesën tjetrë, por kemi bërë një nënkalim i cili lirisht mund të thuhet se është më tepër se nënkalim. Kjo është e ardhmja e qyteteve të Kosovës, dhe mënyra se si duhet të veprojmë dhe punojmë, për të ndërtuar jetën moderne duke e ndërtuar kështu vendin tonë”, tha në fillim të fjalës së tij ministri Limaj duke shtuar se me këtë veprim ne kemi marrë masa sigurie, që përfundimisht në qytetin e Ferizajit, më të mos ndodhin aksidente me fatalitet, siç kanë ndodhur në të kaluarën.
Ministri Limaj gjithashtu theksoi se me këtë investim të duhur dhe në vendin e duhur, besoj se kemi arritur që të shpëtojmë shumë jetë njerëzish.
Ndërsa, sa i përket ndërtimit të këtij nënkalimi, Limaj vlerësoi se kompania ndërtuese ka bërë një punë të shkëlqyer përtej asaj që ka pasur si obligim me kontartë, sepse këtij nënkalimi është ndërtuar një kullë e bukur, ndërsa puna është sipas standardeve evropiane.
Kryetari i Ferizajit, Bajrush Xhemajli, falenderoi ministrin Limaj dhe stafin e tij për financimin e këtij nënkalimi duke u lehtësuar siç tha ai jetën qytetarëve ferizajas, si dhe duke e eleminuar rrezikun permanent i cili ka qenë në këtë qytet. Sipas Xhemajlit, siç dihet në Ferizaj, duke mos pasur masa mbrojtëse të kalimit të hekurudhës një deri në dy qytetarë brenda një viti kanë humbur jetën tragjikisht. Me këtë rast Xhemajli pohoi:” Tashmë kalimi i kësaj hekurudhe është më i lehtë sepse përveç këtij nënkalimi, e kemi ndërtuar edhe një tjetër në këtë qytet. Sa i përket sigurisë, gjendja është tashmë ndryshe”.
Ndërtimi i këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët e Ferizajit-nënkalimi hekurudhor ka kushtuar, 320 mijë euro.